Zelanda e Re po synon të ndalojë rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç
Zelanda e Re po përgatitet të vendosë kufizime të reja lidhur me përdorimin e mediave sociale nga të miturit, ku qeveria synon të ndalojë aksesin e fëmijëve nën moshën 16 vjeç në platformat sociale.
Partia në pushtet, e udhëhequr nga kryeministri Christopher Luxon, ka njoftuar se do të paraqesë në Parlament një projektligj që ka për qëllim të vendosë përgjegjësi të drejtpërdrejtë mbi platformat për kontrollin e moshës së përdoruesve. Sipas propozimit, kompanitë e mediave sociale do të duhet të marrin “masa të arsyeshme” për të verifikuar nëse përdoruesit janë mbi 16 vjeç.
Platformat që nuk respektojnë këto rregulla mund të përballen me gjoba që mund të arrijnë deri në 10% të të ardhurave të tyre globale.
Si do të verifikohet mosha?
Projektligji parashikon që platformat të krijojnë mekanizma për identifikimin e përdoruesve nën moshën 16 vjeç. Ndër opsionet që po shqyrtohen përfshihen analiza e të dhënave ekzistuese të llogarive, përdorimi i teknologjisë së njohjes së fytyrës dhe verifikimi me anë të dokumenteve dixhitale të identifikimit.
Qeveria argumenton se kjo masë ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga përmbajtjet dhe funksionet e rrjeteve sociale që mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.
“Thjesht nuk mund ta pranojmë dëmin që po i bëhet një brezi të tërë fëmijësh në Zelandën e Re,” deklaroi kryeministri Christopher Luxon.
Nisma e Zelandës së Re vjen në një kohë kur disa vende po shqyrtojnë ose kanë ndërmarrë masa për të kufizuar përdorimin e mediave sociale nga të miturit, duke e bërë mbrojtjen e fëmijëve në internet një çështje gjithnjë e më të rëndësishme në agjendën politike ndërkombëtare.
