Veliaj kërkon ndryshimin e masës së sigurisë, nesër në GJKKO shqyrtohet kërkesa e tij.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili aktualisht ndodhet në detyrë, pritet të dalë nga qelia këtë të diel, më 1 shkurt, për t’u paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë. Sipas burimeve, Veliaj do të paraqitet para togave të zeza rreth një vit pas arrestimit të tij, më 10 shkurt 2025. Gjyqtarja Etleva Deda do të vendosë për kërkesën e tij për ndryshimin e masës së sigurisë.
Megjithëse dita është e diel, seanca është planifikuar të zhvillohet në orën 09:00, për shkak të afatit ligjor pesëditor nga momenti i depozitimit të kërkesës. Për këtë arsye, shërbimi i sigurisë së burgjeve është njoftuar që Veliaj të shoqërohet në ambientet e GJKKO-së në orarin e caktuar.
Çështja penale ndaj tij ndodhet ende në fazën e seancës paraprake. Në këtë fazë, kanë mbetur pa paraqitur argumentet e tyre vetëm Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Pas përfundimit të kësaj procedure, gjykata do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet.
Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë episode, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje ose mosdeklarim pasurie, si edhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.
