Shqipëria: Rënia më e madhe e popullsisë së re në Europë

Eurostat: Shqipëria pësoi rënien më të madhe të popullsisë së re në Europë vitin e kaluar

Të dhënat e Eurostat mbi ecurinë e popullsisë së moshës 15-29 vjeç në Europë nxjerrin në pah një situatë shqetësuese për Shqipërinë. Vendit i takon vendi i parë për tkurrjen më të lartë demografike brenda kësaj grupmoshe.

Në janar të vitit 2025, Shqipëria numëronte 405,832 të rinj të moshës 15-29 vjeç.Brenda një viti, kjo shifër pati një rënie prej 18,300 personash, duke shënuar një tkurrje prej -4.32%. Ky ritëm i lartë i largimit të të rinjve nga vendi është katër herë më i shpejtë se ai i Serbisë, e cila regjistron një rënie prej -1.03%.

Ndërkohë që vende si Sllovakia, Austria dhe Turqia shënojnë tkurrje minimale nën 1%, Shqipëria përballet me një “hemorragji” demografike që tejkalon çdo mesatare rajonale. Kjo diferencë theksohet edhe më shumë kur krahasohemi me vendet që po shënojnë rritje të konsiderueshme të popullsisë së re.

Për shembull, ndërsa Shqipëria humbet kapitalin e saj njerëzor, vende si Spanja (+2.76%), Bullgaria (+1.98%) dhe Rumania (+1.97%) po shohin një zgjerim të grupmoshës 15-29 vjeç. Kjo tregon një riorientim të të rinjve drejt tregjeve të punës apo sistemeve arsimore të këtyre vendeve.

Teksa shtete si Zvicra, Islanda dhe vendet e Bashkimit Europian po stabilizojnë ose po rrisin numrin e të rinjve të tyre, Shqipëria po thellon më tej rënien. Kjo situatë nxjerr në pah urgjencën e nevojës për politika inkurajuese që synojnë mbajtjen e të rinjve brenda vendit.

Tkurrja e numrit të të rinjve është një specifikë alarmante shqiptare, jo ballkanike, e cila po e lë vendin pa forcë punëtore aktive dhe pa energji inovative. Rënia me rreth 18,333 të rinj brenda një viti nënkupton se Shqipëria po humbet çdo vit pothuajse një qytet të tërë të përbërë nga studentë dhe profesionistë të rinj.

Në të njëjtën kohë, Gjermania dhe Italia, dy destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, po shënojnë rritje të popullsisë së tyre të re (përkatësisht me 0.50% dhe 0.72%). Kjo tregon se kapitali njerëzor që humbet Shqipëria po shërben si “karburant” për ekonomitë e vendeve të Bashkimit Europian.

Ndërsa vendet e zhvilluara po arrijnë të thithin të rinj dhe të rrisin bazën e tyre demografike, Shqipëria po tkurret me ritme që vështirësojnë çdo plan afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Nëse ky trend i vitit 2025 nuk frenohet, presioni mbi sistemin e pensioneve dhe mbi bizneset vendase, të cilat tashmë vuajnë për staf, do të shkojë drejt pikës së kolapsit, duke e kthyer Shqipërinë në vendin me plakjen më të shpejtë në Europë.

Scroll to Top