Shtrëngim i rregullave për të huajt, shtohet dëshmia e penalitetit
Lejet e qëndrimit për të huajt duket se do të bëhen më të vështira. Një projekt-ligj i hedhur për konsultim publik për hyrjen dhe qëndrimin e shtetasve të huaj në Shqipëri parashikon rregullime të reja, të cilat fokusohen në digjitalizimin e aplikimeve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Një risi e rëndësishme është heqja e detyrimit për vizë për qëndrime deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, për shtetasit e vendeve të treta që posedojnë një vizë ose leje qëndrimi të vlefshme nga një vend i Bashkimit Europian.
Projekt-ligji gjithashtu përfshin kërkesa të reja dokumentacioni. Tani do të jetë e detyrueshme paraqitja e lejes së qëndrimit për më shumë se 12 muaj në vendin e rezidencës dhe certifikatës së gjendjes gjyqësore për shumicën e kategorive të aplikantëve. Përjashtim nga ky detyrim bëhen fëmijët e mitur dhe personat e moshuar.
Një tjetër ndryshim thelbësor është shtimi i detyrimit për paraqitjen e certifikatës së gjendjes gjyqësore. Sipas relacionit shpjegues, kjo dëshmi duhet të jetë e lëshuar jo më herët se gjashtë muaj nga data e aplikimit. Ajo do të kërkohet për të gjitha llojet e lejeve të qëndrimit, me përjashtim të aplikantëve nën moshën 16 vjeç dhe mbi moshën 75 vjeç.
Parashikohen gjithashtu ndryshime dhe sqarime për vizat e tipit “D” dhe lejen e vetme. Kjo përfshin një kategori të posaçme për punëtorët shtëpiakë, kërkesa shtesë për sportistët dhe garanci financiare për aplikimet për studime.
Projekt-ligji përcakton edhe dokumentacion shtesë për punëtorët sezonalë, sqaron kriteret për ripërtëritjen e lejeve të qëndrimit dhe qartëson procedurat për pajisjen me leje qëndrimi për investitorët e huaj. Synimi është krijimi i një procesi më të parashikueshëm dhe stimulues për investimet në Shqipëri.
Projekt-ligji ka si objektiv që aplikimet për vizë dhe leje qëndrimi të kryhen kryesisht në mënyrë online.
