Kursimet në banka u shtuan me 1.5 miliardë euro në vitin 2025 (të konvertuara), duke shënuar një rritje rekord në lekë.
Depozitat në monedhën vendase kanë shënuar rritjen më të lartë historike në vitin 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në të kundërt, rritja e kursimeve në euro është ngadalësuar krahasuar me vitet e mëparshme.
**Rritja rekord në lekë**
Në fund të vitit 2025, në banka ishin të depozituara në monedhën vendase 710.6 miliardë lekë. Ky është niveli më i lartë historik i kursimeve në lekë i regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me një vit më parë, depozitat u rritën me gati 13%, ose rreth 81 miliardë lekë më shumë. Kjo është rritja më e lartë vjetore historike në vlerë, që nga viti 2006, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Shtesa është pothuajse dy herë më shumë se një vit më parë, kur zgjerimi kishte arritur në 47 miliardë lekë. Sipas të dhënave të detajuara, kjo rritje ka ardhur kryesisht nga individët, të cilët kanë shtuar sidomos depozitat pa afat (me 40 miliardë lekë), dhe më pak nga bizneset.
**Euroja ngadalësohet**
Ndryshe nga kursimet në monedhën vendase, ato në euro janë ngadalësuar krahasuar me vitet e mëparshme, pavarësisht se kanë vazhduar rritjen. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bizneset, individët dhe institucionet e tjera kishin në banka në fund të vitit 2025 rreth 8.7 miliardë euro. Krahasuar me një vit më parë, kursimet në monedhën e përbashkët janë rritur me 8.7%, ose 702 milionë euro më shumë. Kjo është rritja më e ulët vjetore që nga viti 2020. Rekordi ishte vendosur në vitin 2023, kur depozitat në valutë u shtuan në një vit me gati 1 miliard euro. Shtesa në vitin 2025 ka ardhur si nga individët ashtu dhe nga bizneset. Tek individët vihet re prirja për të depozituar në afate më të gjata se një vit.
**Shtesa vjetore e konvertuar rreth 1.5 miliardë euro**
Në lekë, shtesa vjetore e kursimeve ishte 81 miliardë lekë, ose rreth 810 milionë euro. Në monedhën e përbashkët, shtesa ishte rreth 700 milionë euro, duke bërë që rritja totale e konvertuar në euro e depozitave në vitin 2025 të ishte rreth 1.5 miliardë euro. Banka e Shqipërisë raporton stokun e kursimeve totale në lekë dhe euro, të konvertuara në monedhën vendase, që në fund të vitit 2025 arriti në 1.48 trilionë lekë (rreth 15 miliardë euro). Megjithatë, për shkak të rënies së monedhës së përbashkët në vitet e fundit, stoku i depozitave në euro i raportuar në lekë rezulton më i ulët.
