Darka e fundit u la pa u ngrënë, tavolina ishte shtruar/ Zbardhen emrat e viktimave
Zbardhen emrat e familjes shqiptare që humbën tragjikisht jetën mbrëmë në Itali, ndërsa dyshohet se shkak është bërë një rrjedhje e monoksidit të karbonit.
Mediat italiane raportojnë se viktimat janë babai, Arti Kola, 48 vjeç, nëna, Jonida, 43 vjeçe, djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç, dhe vajza, Xhesika, më e vogla e familjes, 15 vjeçe.
Tragjedia ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Porcari, një komunë në provincën e Luccës.
Sipas Corriere della Sera, autoritetet bëjnë me dije se alarmin e ngriti vëllai i kryefamiljarit, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave.
Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai, së bashku me dy oficerë të karabinierëve, hynë me forcë brenda. Aty u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë.
Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.
