Nga 1 janari, paga e presidentit, prokurorëve, mjekëve, policëve dhe administratës indeksohet me 2.5%
Qeveria ka miratuar një paketë vendimesh për indeksimin me 2.5% të pagave të të gjithë punonjësve të institucioneve shtetërore. Këto vendime përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, pagën referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si dhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.
Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike për shtesat dhe kompensimet. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026, dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.
Sipas vendimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave:
- Paga e Presidentit të Republikës pas indeksimit bëhet 435,625 lekë në muaj.
- Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156,825 lekë në muaj.
Vendimet detajojnë gjithashtu ndryshime dhe rregullime specifike për:
- Indeksimin e pagës së Presidentit të Republikës.
- Indeksimin e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë.
- Ndryshime në vendimin për trajtimin me pagë dhe shtesa për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
- Ndryshime në vendimin për miratimin e vlerave për pagën bruto mujore të punonjësve të Gardës së Republikës së Shqipërisë.
- Ndryshime në vendimin për miratimin e vlerave për pagën bruto mujore dhe kompensimet e tjera financiare për punonjësit e Policisë së Burgjeve.
- Ndryshime në vendimin për miratimin e strukturës së pagës dhe niveleve të pagave të pozicioneve “koordinator kundër korrupsionit” në disa institucione të administratës shtetërore, duke përfshirë rregullime për shtesën e nivelit të kualifikimit dhe vjetërsinë.
- Ndryshime në vendimin për pagat e punonjësve mbështetës dhe punonjësve të tjerë të specialiteteve të ndryshme në disa institucione të administratës publike.
Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe kanë efekte financiare nga data 1 janar 2026, duke u përballuar nga buxheti i miratuar për vitin 2026.
