Berisha: Rama injoron ultimatumin e Brukselit, rrezikon zhbërjen e integrimit
Gjatë një takimi me mbështetësit e PD-së në njësinë 8 dhe 10 të kryeqytetit, Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, theksoi se shpresa e vetme e vendit për integrimin në Bashkimin Evropian është PD.
Ai kritikoi ashpër qeverisjen aktuale, duke u shprehur se:
- “Shikoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta ndaj nesh. Nuk njohin asnjë kufi.”
- “Harrojnë që 90% e shqiptarëve kanë si ëndërr më të bukur integrimin në BE. Nuk e kanë gabim, sepse në këtë komunitet, njerëzit bëhen më të lirë, më të përparuar dhe kanë një jetë më të mirë.”
Berisha vijoi duke shtuar se Edi Rama, pavarësisht ultimatumit të marrë nga Brukseli për një proces që mund të çojë në zhbërjen e integrimit, nuk tregon shenja pendese, por përkundrazi, përpiqet të ndikojë në vendimin që pritet të dalë sot.
“Ky është zhvillimi më i fundit dhe nuk mund ta injoroja këtë situatë,” tha Berisha. Ai u bëri thirrje të pranishmëve, duke theksuar se në këtë kontekst, shpresa e vetme janë ata.
“Shpesh me të drejtë thonë: njerëzit nuk kanë shpresë, jo njerëzit janë pa shpresë, si t’ia bëjmë për shpresën,” përfundoi ai.
