Dy shtetas anglezë janë dënuar me burgim të përjetshëm pas vrasjes së një shqiptari gjatë një grabitjeje të dhunshme në Angli.
Michael Mulvana, 32 vjeç, dhe Jobie Tyers, 28 vjeç, të dy nga qyteti i Jorkut, janë dënuar me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 29 vjetësh burg, për vrasjen e Indrit Mustafajt, 26 vjeç, shtetas shqiptar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë një grabitjeje në apartamentin e një gruaje, ku ndodhej edhe viktima. Gjatë përleshjes, autorët plagosën rëndë gruan dhe më pas goditën Mustafajn me hanxhar, duke i shkaktuar vdekjen.
Indrit Mustafaj kishte udhëtuar drejt Anglisë për të mbështetur financiarisht familjen e tij. Pasi babai i tij ishte i sëmurë dhe i paaftë për punë, ai ishte larguar nga Shqipëria që në moshë të re për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe për t’u dërguar para prindërve dhe dy motrave të tij. Vdekja e tij ka lënë familjen e tij të shkatërruar si financiarisht, ashtu edhe emocionalisht.
Në një deklaratë personale të lexuar para gjykatës, familjarët e Mustafajt kanë shprehur dhimbjen e tyre të pamatshme. “Ne të gjithë zgjohemi me dhimbje dhe biem në gjumë me pyetje,” thanë ata. “Ndikimi tek ne është i pamatshëm. Ai ishte i sjellshëm, ishte i butë, ai ishte dashuria e jetës sonë.”
Mustafaj nuk e kishte parë kurrë familjen e tij që kur ishte larguar për në Angli. Ai po planifikonte t’i surprizonte me një vizitë, pasi kishte arritur të mbledhte paratë për biletën e kthimit pas 9 vitesh punë, vetëm një muaj para se të mbushnin 27 vjeç. Lajmi për vdekjen e tij e ka tronditur aq shumë nënën e tij sa ajo tani “jeton në heshtje”.
Familjarët kanë shtuar se nuk i urrejnë vrasësit, por kërkojnë drejtësi.
Gjykata e Kurorës së Leedsit ka dëgjuar se Mustafaj udhëtonte çdo ditë nga Bradfordi në York, ku jetonte në një dhomë. Ai mbante gjithmonë me vete një hanxhar, të cilin e mbante nën shtrat.
Autorët, të armatosur me një levë, hynë me forcë në apartament dhe përdorën armën e viktimës për ta vrarë, u tha në Gjykatë.
Kryeinspektori Fran Naughton ka deklaruar se Mustafaj ndoshta e mbante hanxharin me vete “me qëllimin për ta përdorur atë në vetëmbrojtje, në rast të një sulmi si ky. Por duke pasur një thikë, ti potencialisht po armatos sulmuesin tuaj. Si detektivë, për fat të keq shohim njerëz që humbasin jetën në këtë mënyrë dhe gjithashtu shohim ndikimin në jetën e familjeve të tyre kur ata janë larguar. Të dyja këto pasoja janë të tmerrshme dhe tregojnë se sa e rrezikshme mund të jetë posedimi ose mbajtja e një thike.”
