Raporti BBC: Mbi 380,000 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë

BBC bën bilancin: Mbi 380 mijë ushtarë rusë të vrarë në luftën kundër Ukrainës

Në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës pothuajse katër vite më parë, të paktën 173.477 ushtarë rusë kanë humbur jetën në fushëbetejë, sipas një analize të publikuar nga shërbimi rus i BBC-së në bashkëpunim me portalin e pavarur Mediazona. Të dhënat bazohen në analiza të burimeve publike, përfshirë varreza, memoriale lufte dhe nekrologji. Megjithatë, mediat theksojnë se shifrat reale ka shumë gjasa të jenë ndjeshëm më të larta.

Ekspertët ushtarakë shpjegojnë se kjo metodë mbulon vetëm rreth 45 deri në 65 për qind të numrit të vërtetë të viktimave. BBC raporton gjithashtu se trupat e shumë ushtarëve rusë të vrarë në muajt e fundit ndodhen ende në fushëbetejë, pasi nxjerrja e tyre paraqet rrezik të madh për forcat e mbijetuara. Për këtë arsye, vlerësohet se numri real i ushtarëve të vrarë rusë varion nga 267 mijë deri në 385.500.

Këto shifra do të ishin edhe më të larta nëse do të përfshiheshin edhe luftëtarët proruse të formacioneve separatiste në lindje të Ukrainës, të cilat Moska fillimisht i mbështeti dhe më pas i aneksoi.

Humbjet në të dyja palët

Ukraina po përballet për të katërtin vit radhazi me agresionin e gjerë ushtarak rus. Moska zakonisht nuk publikon të dhëna zyrtare për humbjet e saj ushtarake, ndërsa Kievi e bën këtë rrallë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi së fundmi se rreth 55 mijë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, duke shtuar se një numër i konsiderueshëm rezultojnë të zhdukur.

Nga ana tjetër, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), me seli në Uashington, vlerësoi në janar se numri i të vrarëve në luftë arrin në 100 mijë deri në 140 mijë ushtarë ukrainas dhe rreth 325 mijë ushtarë rusë, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë plagosur në të dyja palët.

Pasojat për civilët

Si pasojë e luftimeve, viktima të shumta ka pasur edhe në mesin e civilëve. Misioni i OKB-së për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut në Ukrainë (HRMMU) ka konfirmuar se nga fillimi i pushtimit të plotë deri në fund të vitit të kaluar kanë humbur jetën të paktën 14.999 civilë, përfshirë qindra fëmijë.

Sipas HRMMU, shumica dërrmuese e viktimave civile kanë humbur jetën në zonat nën kontrollin e qeverisë ukrainase, të cilat kanë qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme nga ushtria ruse. Misioni i OKB-së paralajmëron se numri real i civilëve të vrarë është dukshëm më i lartë, veçanërisht në qytete si Mariupoli, Lisichansk dhe Severodonetsk, ku në muajt e parë të pushtimit u zhvilluan luftime intensive dhe që aktualisht ndodhen nën okupimin rus.

Scroll to Top