“`html
Tabaku: Rritja e eksporteve në korrik nuk tregon forcim të ekonomisë prodhuese
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar mënyrën se si qeveria po interpreton të dhënat e fundit mbi eksportet. Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ajo argumenton se rritja prej 10,6% e raportuar për muajin korrik është e përqendruar në disa kategori të caktuara dhe nuk dëshmon, sipas saj, një forcim të gjerë të ekonomisë prodhuese.
“Një qeveri në krizë kapet pas disa shifrave për të mbajtur në këmbë narrativën e saj”, ka shkruar Tabaku, duke akuzuar se po përdoret rritja mujore e eksporteve për të paraqitur një tablo më pozitive të ekonomisë.
Sipas shifrave të cituara prej saj, materialet e ndërtimit dhe metalet kanë kontribuar me 8,9 pikë përqindjeje në rritjen e eksporteve në korrik. Ndërkohë, mineralet, karburantet dhe energjia kanë kontribuar me 5,3 pikë përqindjeje. Të marra së bashku, këto dy grupe kanë dhënë 14,2 pikë përqindjeje, duke tejkaluar rritjen përfundimtare prej 10,6%. Tabaku thekson se ky kontribut është zbutur nga ecuria negative e sektorëve të tjerë. Sipas saj, fasoneria ka ulur rezultatin me 4,3 pikë përqindjeje, ndërsa ushqimet kanë kontribuar vetëm me 0,1 pikë.
“Pra, nuk është forcuar ekonomia prodhuese. Është rritur përkohësisht vlera e disa kategorive të eksporteve, të përqendruara te ndërtimi”, ka nënvizuar ajo.
Në reagimin e saj, deputetja e opozitës iu referua edhe ecurisë afatgjatë të eksporteve. Sipas Tabakut, nga viti 2014 deri në vitin 2025, vlera e eksporteve në lekë është rritur me rreth 36%, ndërsa sasia fizike e mallrave të eksportuara ka rënë me rreth 14%.
“Në letër, eksportet e Shqipërisë vlejnë më shumë; në realitet, vendi eksporton më pak mallra”, ka shkruar Tabaku.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësimin për ndikimin e forcimit të lekut ndaj euros te kompanitë eksportuese. Sipas saj, konvertimi i të dhënave në euro mund të krijojë një perceptim më pozitiv për vlerën e eksporteve, ndërsa kompanitë që faturojnë në monedhën europiane marrin më pak lekë për të mbuluar kostot e tyre të brendshme.
“Për eksportuesin që faturon në euro, realiteti është i kundërt: për të njëjtën kontratë merr më pak lekë për pagat, energjinë, taksat dhe kostot e prodhimit”, ka shpjeguar ajo.
Tabaku veçoi fasonerinë si një nga sektorët më të ekspozuar ndaj kësaj situate, duke thënë se ajo përbën rreth 30% të eksporteve të mallrave dhe punëson dhjetëra mijëra qytetarë.
“Pas euros së lirë qëndrojnë fabrika që mbyllen, kontrata që largohen dhe vende pune që humbasin”, ka shkruar deputetja, duke shtuar se burimi dhe qëndrueshmëria e flukseve të mëdha valutore, që sipas saj, kanë ndikuar në forcimin e lekut, vijojnë të mbeten pa një shpjegim transparent.
Në të njëjtin reagim, Tabaku iu referua edhe strukturës së rritjes ekonomike në vitin 2025. Sipas të dhënave që ajo citoi nga INSTAT, industria ra me 3,72% dhe bujqësia me 2,5%, ndërsa administrata publike, arsimi, shëndetësia dhe taksat neto dhanë së bashku rreth 77% të rritjes ekonomike prej 3,66%.
“Kjo do të thotë se sot ekonominë po e mbajnë në këmbë shpenzimet e shtetit dhe jo biznesi”, ka përfunduar Tabaku.
Deputetja e PD-së e mbylli reagimin duke argumentuar se një e dhënë pozitive mujore nuk mjafton për të përshkruar gjendjen e sektorëve prodhues dhe të punësimit.
“Një shifër mujore mund të shërbejë për propagandë. Por nuk mund të zëvendësojë fabrikat që mbyllen, vendet e punës që humbasin dhe familjet që çdo ditë e kanë më të vështirë të përballojnë jetesën”, ka theksuar Tabaku në rrjetet sociale.
“`
