Rama mbron Ballukun, Shqipëria përballet me kritika nga Brukseli për integrimin
Pa miratimin e raportit IBAR për drejtësinë, nuk mund të fillojë procesi i mbylljes së kapitujve.
Mbrojtja që kryeministri Edi Rama po i bën zv.kryeministres Belinda Balluku nuk është më vetëm një çështje e brendshme politike në Shqipëri, por ka mbërritur prej kohësh edhe në Bruksel, ku kancelaritë europiane monitorojnë progresin e vendit tonë drejt integrimit.
Ndërsa kryeministri Rama do të udhëtojë drejt Brukselit për t’u takuar me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, ky takim vjen në një moment kyç. Shqipëria ende nuk ka arritur të marrë raportin e vlerësimit të standardeve për reformimin e gjyqësorit, i njohur si IBAR (Instrumenti për Paraprirjen e Anëtarësimit për Drejtësinë dhe të Drejtat Fundamentale), për kapitujt 23 dhe 24. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare, nuk mund të fillojë procesi i mbylljes së grupkapitujve, sipas një burimi diplomatik të cituar nga Lapsi.al.
Në mbledhjet e deritanishme në nivel ambasadorësh, ka pasur kërkesa për prova konkrete, siç janë dënimet përfundimtare të zyrtarëve të lartë dhe sekuestrimet e pasurive të tyre. Kjo tregon qartësisht se Bashkimi Europian pret shembuj konkretë të luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, me kthesën e papritur në trajtimin e aferës së Belinda Ballukut, Edi Rama tashmë shihet me dyshim në Evropë.
Nëse SPAK (Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) dhe Gjykata e Posaçme do të pengohen më tej në dosjen “Balluku”, integrimi drejt BE-së rrezikon të jetë në një pikëpyetje të madhe dhe nuk do të ishte çudi të ktheheshim në pikën zero. Sipas metodologjisë së re të negociatave, mund të ndodhë që një shtet anëtar i BE-së, në këto rrethana, të kërkojë rikthimin e procesit të negociatave në pikën fillestare.
Kapitujt 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria) janë hapur të parët dhe pritet të mbyllen të fundit. Afera Balluku dhe rezistenca frontale që Rama po tregon përballë drejtësisë, duke mos lejuar arrestimin e numrit dy të qeverisë së tij, është diskutuar gjerësisht edhe në takimin e Grupit të Punës për Zgjerim mes diplomatëve europianë.
Ndonëse takimi ka qenë me diskrecion të plotë, komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, ka thyer rregullin dhe ka kontaktuar kryeministrin Edi Rama për ta vënë në dijeni për klimën e rëndë të diskutimeve. Kos i ka përcjellë Ramës qëndrimet aspak të qeta nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda, kryesisht për çështjen e veprimeve të SPAK ndaj zv.kryeministres, Belinda Balluku. Ajo, megjithëse përballet me akuza dhe është kapur në përgjime kompromentuese, vazhdon të mbahet në detyrë.
Ndonëse fuqia lobuese e Edi Ramës njihet në Evropë, duket se përplasja e tij me SPAK për të mbrojtur Belinda Ballukun konsiderohet një vijë e kuqe në Bruksel. Nëse nuk ka një kthesë nga kreu i qeverisë shqiptare, procesi i integrimit në BE mund të stopojë menjëherë. Ky do të ishte edhe një dështim i madh për vetë Bashkimin Europian, i cili ka mbështetur politikën e zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mbetet për t’u parë se si do të lëvizin gjërat prej të hënës, kur Rama do të zhvillojë bisedime në Bruksel me Antonio Costa. Zhvillim i ri në këtë përplasje është tashmë edhe vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut. Topi është tashmë në dorën e Kuvendit për të vendosur nëse do t’i heqë apo jo imunitetin politik krahut të djathtë të Edi Ramës.
