Takim Trump-Netanjahu në Uashington: Irani në fokus

SHBA: Të mërkurën zhvillohet në Uashington takimi Trump-Netanjahu, Irani në fokus

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, do të udhëtojë drejt Uashingtonit javën e ardhshme, ku të mërkurën do të zhvillojë një takim me Donald Trump, me fokus kryesor Iranin, njoftoi zyra e kryeministrit izraelit.

Ky takim vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani duket se janë të gatshëm të vazhdojnë një raund të dytë bisedimesh lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Sipas zyrës së Netanjahut, kryeministri izraelit thekson se çdo negociatë duhet të përfshijë kufizime të qarta për programin e raketave balistike të Iranit, si dhe t’i japë fund mbështetjes për të ashtuquajturin “bosht iranian”.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan të premten, në Oman, ditën e parë të bisedimeve indirekte, të cilat u përqendruan në programin bërthamor iranian. Pas bisedimeve, Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se vendi i tij nuk ka ndërmend të heqë dorë nga e drejta e tij për të pasuruar uranium. Sipas burimeve, çështja e prodhimit të raketave balistike nuk u diskutua gjatë këtyre bisedimeve.

Netanjahu fillimisht ishte planifikuar të vizitonte Uashingtonin nga data 18 deri më 22 shkurt, por takimi u shty një javë më parë me kërkesë të kryeministrit izraelit, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, të cituar nga Axios.

Scroll to Top