“Surprizë” për ushtrinë e Putinit: Ukraina ndërton 300 kilometra linja të reja mbrojtëse, fortifikimi që blindon frontin
Ukraina ka ndërtuar një linjë të re mbrojtëse prej rreth 300 kilometrash, që shtrihet nga Iziumi deri në Orikhiv, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar përparimin e forcave ruse.
Sipas analistit të OSINT, Clément Molin, linja përfshin të paktën 67 pika të fortifikuara dhe kalime të mbrojtura. Sistemi i ri mbrojtës bazohet më shumë te pengesat dhe pozicionet e kamufluara sesa te llogoret tradicionale.
Në disa zona, brezi i pengesave arrin rreth 100 metra gjerësi dhe përfshin kanale antitank, piramida betoni, tela me gjemba dhe disa rreshta pengesash. Pozicionet e këmbësorisë dhe të operatorëve të dronëve janë vendosur më në thellësi dhe të kamufluara në pyje e breza pemësh, me synimin për ta bërë më të vështirë zbulimin dhe depërtimin e forcave ruse.
Sipas analizës së Molin, këto fortifikime nuk e bëjnë frontin të padepërtueshëm, por mund të ngadalësojnë ndjeshëm një ofensivë ruse, duke e detyruar ushtrinë e Moskës të përballet me disa shtresa pengesash dhe pozicionesh mbrojtëse.
Analisti vëren gjithashtu se ndërtimi i fortifikimeve ukrainase është intensifikuar si pjesë e një strategjie afatgjatë mbrojtëse. Në disa sektorë, linjat nuk janë ende të përfunduara, ndërsa në të tjerë janë ngritur struktura më të avancuara dhe të shumëfishta.
Për Ukrainën, objektivi kryesor është të blejë kohë dhe të kufizojë ritmin e përparimit rus. Ndërsa për Moskën, kapërcimi i një sistemi të tillë mbrojtës mund të kërkojë kohë të konsiderueshme dhe burime të mëdha ushtarake.
