75% e Shqiptarëve Paguajnë 10-50% të Buxhetit Mujor për Fatkura Publike
Sistemi fiskal dhe tarifat administrative po kthehen në një barrë të konsiderueshme për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, në Shqipëri, ky presion duket se ka prekur një masë më të gjerë të popullsisë, sipas anketës “Securimetri 2025” të realizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Të dhënat tregojnë se rreth 75% e qytetarëve shqiptarë vlerësojnë se taksat dhe tarifat rrisin koston e jetesës së tyre me 10% deri në 50% të të ardhurave mujore. Më specifikisht, grupi i qytetarëve që deklaron se detyrimet publike zënë 21-30% të të ardhurave të tyre mujore është më i larti në rajon, duke arritur në 30% të të anketuarve, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 25%. Kjo shifër sugjeron se, ndryshe nga fqinjët, shqiptarët e ndjejnë barrën e detyrimeve publike si një shpenzim që ndikon drejtpërdrejt mirëqenien e tyre mujore.
Vetëm 13% e shqiptarëve mendojnë se shteti u merr më pak se 10% të kostove të jetesës, duke e renditur Shqipërinë në nivelin më të ulët në rajon pas Serbisë. Kjo do të thotë se për gati një të tretën e popullsisë në Shqipëri, pagesat ndaj institucioneve publike zënë një pjesë mjaft të konsiderueshme të buxhetit familjar, duke tejkaluar mesataren e rajonit.
Kosova shfaqet si një ekonomi me një barrë më të lehtë për qytetarët e saj. Rreth 17% e qytetarëve kosovarë e ndjejnë barrën e pagesave publike nën nivelin 10%, një tregues më pozitiv krahasuar me Shqipërinë.
Serbia ka përqindjen më të lartë të qytetarëve që deklarojnë kosto ekstreme, ku 11% e qytetarëve pohojnë se paguajnë 50% të të ardhurave mujore në formë taksash, ndërsa në Shqipëri kjo kategori është pothuajse e papërfillshme, me vetëm 3%. Kjo sugjeron se sistemi serb mund të jetë më i ashpër ndaj shtresave me të ardhura të larta, ndërsa sistemi shqiptar duket se shënjestron më gjerësisht shtresën e mesme.
Maqedonia e Veriut udhëheq rajonin me 36% të të anketuarve që paguajnë 10-20% të të ardhurave mujore, duke u renditur afër Shqipërisë për sa i përket perceptimit të barrës së moderuar.
Për Shqipërinë, këto shifra tregojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj detyrimeve financiare publike, duke përfshirë faturat e ujit, energjisë dhe shpenzime të tjera që lidhen me taksat dhe tarifat. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë ka pohuar se këto kosto gërryejnë ndjeshëm të ardhurat e tyre mujore.
