Reuters: SHBA-të do t’ia dorëzojnë dy poste komanduese të NATO-s oficerëve evropianë
Shtetet e Bashkuara do t’ia dorëzojnë dy nga postet kryesore komanduese të NATO-s, ato në Napoli të Italisë dhe Norfolk të Virxhinias, oficerëve evropianë. Ky informacion u bë i ditur nga një burim ushtarak për Reuters të hënën.
Ky veprim mbështet kërkesat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për rritjen e përgjegjësisë së vendeve evropiane për sigurinë e tyre. Administrata e tij ka theksuar nevojën që aleanca ushtarake, prej kohësh e dominuar nga Shtetet e Bashkuara, të bëhet një “NATO e udhëhequr nga Evropa”.
Si pjesë e kësaj riorganizimi komandues, oficerët evropianë do të marrin përsipër Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli dhe Komandën e Forcave të Përbashkëta Norfolk. Të dyja këto komanda aktualisht drejtohen nga admiralë amerikanë, sipas burimit që foli në kushte anonimiteti.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e tre komandave të tjera, të cilat, edhe pse më të ulëta në hierarki, kanë përgjegjësi të konsiderueshme për operacionet: Komanda Ajrore Aleate, Komanda Detare Aleate dhe Komanda Tokësore Aleate. Këtë e konfirmuan si burimi ushtarak ashtu edhe një person tjetër i informuar mbi çështjen.
Në përgjigje të këtyre ndryshimeve të planifikuara, një zyrtar i NATO-s deklaroi: “Aleatët kanë rënë dakord për një shpërndarje të re të përgjegjësisë së oficerëve të lartë në të gjithë Strukturën e Komandës së NATO-s, në të cilën Aleatët evropianë, përfshirë anëtarët më të rinj të NATO-s, do të luajnë një rol më të spikatur në udhëheqjen ushtarake të Aleancës”. Zyrtari shtoi se vendimi lidhet me “planifikimin për rotacionet e ardhshme” dhe se më shumë detaje do të bëhen publike në kohën e duhur.
