Brukseli deklaron se po monitoron projektin “Smart City”, por përgjegjësia kryesore i mbetet Tiranës.
Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të menaxhojë të dhënat personale në përputhje me legjislacionin e ri, i cili është harmonizuar me standardet e BE-së. Ndërkohë, Avokati i Popullit thekson se mund të ndërhyjë vetëm në rastin e ankesave konkrete për shkelje të të drejtave të njeriut, duke lënë projektin “Smart City” jashtë një hetimi institucional.
Nga Esmeralda Topi
Kur projekti “Smart City” u prezantua për herë të parë, ai u paraqit si një hap drejt modernizimit të sigurisë dhe menaxhimit urban. Kamerat inteligjente, analiza e të dhënave dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar u përshkruan si mjete për të garantuar një qytet më të sigurt. Megjithatë, ndërsa projekti po ecën përpara, çështjet lidhur me transparencën, mbrojtjen e të dhënave personale dhe kostot mbeten ende pa përgjigje.
Projekti “Smart City” parashikon sigurimin dhe instalimin e platformave të inteligjencës artificiale për menaxhimin e qytetit dhe trafikut, si dhe një qendër të avancuar kontrolli. Ky projekt, me një kosto prej 140 milionë dollarësh, synon të ngrejë një sistem monitorimi përmes instalimit të rreth 5 mijë kamerave në qytetet kryesore të vendit. Pjesë e projektit janë gjithashtu 3 mijë kamera trupore për punonjësit e policisë së shtetit.
KE: Përgjegjësia i takon Shqipërisë
Në një përgjigje ndaj një kërkese për informacion, Komisioni Evropian sqaroi për Faktoje.al se çështjet e mbrojtjes së të dhënave personale në vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë, monitorohen në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Bashkimi Evropian pret që Shqipëria të trajtojë të dhënat personale në përputhje me ligjin e saj kombëtar.
“Shqipëria së fundmi ka miratuar një legjislacion të ri për mbrojtjen e të dhënave, në përputhje me acquis të BE-së. Prandaj ne presim që Shqipëria të trajtojë të dhënat personale në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar,” thuhet në përgjigjen e Komisionit.
Edhe në fushën e prokurimit publik, Komisioni thekson se roli i tij është mbështetës dhe vlerësues në nivel kuadri, jo në kontrata individuale. “Tani i takon Shqipërisë të vlerësojë përputhshmërinë e kontratave individuale me standardet e BE-së për prokurimin publik,” sqaron Komisioni.
Avokati i Popullit: Nuk kam marrë ankesa
Në Tiranë, Avokati i Popullit ka një qëndrim të rezervuar. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, institucioni rikujton se kompetencat e tij ushtrohen mbi bazën e ankesave konkrete dhe të individualizuara, ose kur ka indicie të besueshme për shkelje të të drejtave të njeriut.
“Mbrojtja e të dhënave personale dhe respektimi i jetës private janë të garantuara nga Kushtetuta dhe nga legjislacioni në fuqi,” thuhet në përgjigje, duke shtuar se autoritetet publike janë të detyruara të respektojnë parimet e domosdoshmërisë, proporcionalitetit dhe sigurisë gjatë përpunimit të të dhënave.
Lidhur me projektin “Smart City”, Avokati i Popullit sqaron se është i gatshëm të shqyrtojë çdo çështje që lidhet me ndikimin e tij mbi të drejtat e qytetarëve, por vetëm nëse paraqiten ankesa konkrete ose fakte të verifikueshme. Edhe rekomandimet për organet e administratës publike, sipas Avokatit të Popullit, jepen vetëm pasi konstatohet një shkelje konkrete e të drejtave të njeriut. Institucioni nënvizon se nuk ushtron mbikëqyrje të përgjithshme mbi politikat publike dhe nuk ndërhyn në diskrecionin administrativ, për aq kohë sa ky ushtrohet në përputhje me ligjin.
Si nisi projekti “Smart City”?
Projekti “Smart City” nisi si një nismë zyrtare në prill 2024, kur ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI’, pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja, e klasifikuar si sekrete, parashikon instalimin e një rrjeti kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të vendit, me qëllim rritjen e sigurisë publike dhe përmirësimin e menaxhimit të trafikut përmes inteligjencës artificiale.
Në shkurt 2025, gjatë vizitës së parë të presidentit të Emirateve të Bashkuara në Tiranë, kryeministri Edi Rama nënshkroi një letër angazhimi për projektin, i cili u shpall si një projekt me rëndësi kombëtare.
Kostot e projektit “Smart City”
Kostoja, e cila fillimisht parashikohej të ishte 60 milionë dollarë, pas vizitës u dyfishua dhe do të mbulohet përmes një huaje nga Fondi për Zhvillim i Abu Dhabit, duke arritur në 140 milionë dollarë me TVSH. Projekti përfshin instalimin e 2,239 kamerave ANPR, 2,602 kamerave PTZ, 3,816 kamerave trupore për policinë, si dhe 100 radarëve inteligjentë dhe 100 sensorëve të zhurmës për trafikun.
Buxheti i projektit tregon se 31 milionë dollarë janë për liçencat e softuerëve, 62.4 milionë për pajisjet hardware dhe infrastrukturën, 8 milionë për shërbime profesionale dhe 17.1 milionë për mirëmbajtje katërvjeçare.
Në dhjetor 2025, kompania ‘Presight AI’, e regjistruar në Abu Dhabi, hapi degën e saj në Shqipëri, me qëllimin e vetëm zbatimin e kontratës.
