PAMJE/ Polici nxjerr armën gjatë një konflikti për parkimin e makinës, AMP nis hetimet
Një punonjës policie, i cili shërbente në qarkun e Kukësit, është përfshirë sot në një konflikt fizik në zonën e njohur si “Malajziani” në kryeqytet me një punonjës të një biznesi. Sipas informacioneve fillestare, konflikti ka shpërthyer pasi punonjësit e një lokali i kanë kërkuar efektivit policor të zhvendoste automjetin e tij, i cili ishte parkuar pranë ambientit të lokalit. Ata pretendonin se makina po pengonte hapësirën e shërbimit.
Debati ka eskaluar, duke degraduar në përplasje verbale dhe, në fund, në nxjerrjen e armës nga ana e policit. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë tregojnë qartë momentin kur polici nxjerr armën e shërbimit drejt personit me të cilin ishte në konflikt.
Lidhur me këtë ngjarje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim ndaj efektivit policor. Ai po hetohet në gjendje të lirë.
