KAPEN ARMË DHE MUNICIONE NË MORINË, ARRESTOHET 39-VJEÇARI
Një 39-vjeçar është arrestuar nga Policia Kufitare e Morinës pasi tentoi të kalonte kufirin me municion luftarak dhe katër armë të ftohta në automjetin e tij. Shtetasi M.L., banues në Kosovë, është vënë në pranga për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi dy karikatorë me fishekë, dy thika, një sëpatë dhe një shkop metalik, të ngjashëm me ato të Policisë.
Në njoftimin e policisë thuhet se:
- DVKM Kukës vijon kontrollet intensive nga Policia Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.
- Një 39-vjeçar, shtetas kosovar, u arrestua nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë pasi tentoi të kalonte kufirin me municion luftarak dhe katër armë të ftohta në automjet.
- Sendet e paligjshme dhe automjeti u sekuestruan.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në kuadër të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare dhe bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar për kontroll në vijë të dytë, në hyrje të Shqipërisë, automjetin e drejtuar nga shtetasi M.L.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën dy karikatorë me fishekë, dy thika, një sëpatë dhe një shkop metalik si ai i Policisë. Këto sende u sekuestruan si prova materiale, së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin M.L., 39 vjeç, banues në Kosovë, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
