Netanyahu takohet me Trump: Do të paraqes qëndrimet tona për negociatat me Iranin
Pak para nisjes për në Uashington, ku do të takohet me Donald Trump, Benjamin Netanyahu deklaroi përpara gazetarëve se synon t’i komunikojë presidentit amerikan qëndrimin e Izraelit lidhur me bisedimet bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit.
Ai theksoi se do t’i paraqesë presidentit qasjen e Iranit në lidhje me parimet izraelite në negociata. Sipas tij, këto parime nuk janë të rëndësishme vetëm për Izraelin, por për çdo vend në botë që kërkon paqe dhe siguri.
Netanyahu shtoi se gjatë takimit mes dy udhëheqësve do të diskutohen një sërë çështjesh, duke përfshirë edhe situatën në Gaza.
Mediat e huaja raportojnë se Netanyahu nënvizoi gjithashtu se takimet e tij të shpeshta me Trump janë dëshmi e lidhjes së veçantë që karakterizon marrëdhëniet midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe e marrëdhënies personale mes tij dhe presidentit amerikan.
