Tatimet Zbulojnë Evazion Fiskal me Vlera të Larta në Shitjen e Apartamenteve, edhe në Durrës e Lezhë
Pas kontrolleve të kryera në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në terren kanë përqendruar vëmendjen e tyre edhe në qytetet e Durrësit dhe Lezhës.
Administrata Tatimore ka njoftuar se gjatë inspektimeve, të cilat janë zhvilluar në kuadër të planit operativ për sektorin e ndërtimit, janë identifikuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor. Këto shkelje përfshijnë praktika të qëllimshme të agjencive imobiliare dhe subjekteve ndërtuese, të cilat synojnë shmangien e detyrimeve tatimore, si dhe parregullsi në deklarimin dhe dokumentimin e aktivitetit ekonomik.
Sipas tatimeve, në agjencitë imobiliare dhe subjektet ndërtuese të kontrolluara në Durrës dhe Lezhë, janë konstatuar raste të përdorimit të dokumentacionit jo-tatimor dhe mospërputhje të theksuara mes të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit ekonomik real.
“Njësoj si në Tiranë, Vlorë, Sarandë, edhe në Durrës e Lezhë janë evidentuar raste të evazionit fiskal në vlera të larta. Me qëllim uljen e detyrimeve tatimore, subjektet imobiliare dhe ndërtuese shesin apartamente dhe pasuri të tjera me çmime shumë herë më të larta se ato të deklaruara në kontratat noteriale dhe të raportuara pranë Administratës Tatimore, në shkelje të plotë të ligjit,” thuhet në njoftim.
Hetimet vijojnë me analizimin e mëtejshëm të deklarimeve të subjekteve, duke u fokusuar në dokumentimin e fshehjes së të ardhurave. Kjo bëhet përmes të dhënave të siguruara nga njësitë kompjuterike të sekuestruara, të cilat tregojnë shitje të kryera në cash, bonuse të paguara cash, si dhe praktika të tjera në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në përfundim të hetimit, Drejtoria e Hetimit Tatimor do t’i referojë Prokurorive përkatëse materialet për çdo rast ku evidentohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal.
Administrata Tatimore ka bërë me dije se kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe tregun imobiliar do të intensifikohen dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, me qëllim formalizimin e pagave dhe rritjen e pensioneve.
