Paolo Tramezzani rikthehet në pankinë, ish-ndihmësi i De Biazit te Shqipëria prezantohet te Komo nga drejtori sportiv shqiptar
Paolo Tramezzani është rikthyer në aktivitetin si trajner, duke filluar një kapitull të ri në futbollin italian me klubin e Komos, një ekip që ka fituar popullaritet në vitet e fundit.
Ish-ndihmësi i Xhani De Biazit gjatë Euro 2016 me kombëtaren shqiptare, Tramezzani nuk do të drejtojë ekipin e meshkujve, por atë të femrave, pasi është emëruar trajneri i skuadrës së parë të futbollit të femrave.
Tramezzani ka nisur menjëherë punën, duke drejtuar stërvitjet me ekipin vajzave. Ai theksoi se synon të ndërtojë një projekt fitues te Komo, duke shpresuar që të ndiqet suksesi i ekipit të meshkujve, aktualisht i drejtuar nga Çesk Fabregas dhe që po tregon performancë të mirë në Serinë A.
Prezantimin e trajnerit Tramezzani e ka bërë drejtori sportiv i seksionit të futbollit të femrave te Komo, i cili është shqiptar. Miro Keci, i cili prej vitesh drejton këtë projekt, ka qenë iniciatori i afrimit të Tramezanit.
“E njoh që nga viti 2012, kur punonte si zëvendës-trajner i Shqipërisë. E di se si punon dhe si komunikon me sportistët. Ai është një person me shumë eksperiencë dhe në këtë moment kemi nevojë për një figurë me këto cilësi,” u shpreh Keci lidhur me Tramezanin.
