SPAK dërgon për gjykim çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Memaliaj
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj ish-kryetarit të Bashkisë Memaliaj. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, ish-kryetari akuzohet për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Për të njëjtën vepër penale, akuza shtrihet edhe ndaj:
- Ish-nënkryetares së Bashkisë Memaliaj, Edmonda Harizi.
- Ish-drejtorit të Shërbimeve Publike pranë Bashkisë Memaliaj, Feta Hoxha.
- Administratorit të subjektit “Bersant Ylli”, Bersant Ylli.
SPAK ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 216/1 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve të mësipërm. Hetimet kanë filluar pas kallëzimit penal të dërguar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit më 28.10.2024.
Objekti i hetimit ka qenë procedura e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.
Hetimet kanë zbuluar se ish-kryetari i Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, më 21 shtator 2020, ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k. Projekti për ndërtimin e ujësjellësit rajonal, me vlerë mbi 493 milionë lekë, ishte miratuar nga kryetari i bashkisë. Vlera e miratuar ishte e barabartë me kostot e projektit të dhuruar nga “Artreum Generation”, e cila ishte nënkontraktore e një prej kompanive fituese të tenderit.
Gjatë analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli, dhe titullari i autoritetit kontraktor, Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe të padrejta për operatorë të tretë. Ata kanë kualifikuar dhe shpallur fitues unionin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.
Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike, duke mos plotësuar kriteret ligjore për nënkontraktor.
Më 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës.
