Aeroporti i Vlorës “peng” në gjykata, MACBO: Jemi përjashtuar nga vendimet, kërkojmë auditim ndërkombëtar
Hapja dhe nisja e operimit të Aeroportit të Vlorës mbetet ende e pasigurt. Aksioneri mazhoritar i kontratës koncesionare, MACBO, i cili zotëron 98% të aksioneve në shoqërinë e Aeroportit të Vlorës, deklaroi sot para mediave se situata vijon të jetë shqetësuese dhe alarmante.
Përfaqësues të kompanisë thanë se çështja mbetet peng i vendimeve të gjykatave në vend. Konflikti ka zanafillën mes dy kompanive aksionare të shoqërisë që ka kontratën koncesionare me shtetin shqiptar: MACBO me 98% dhe 2A Group me 2%. Sherri kryesor lidhet me një kontratë për shitjen e 47% të aksioneve nga aksioneri i madh tek ai më i vogli, gjë që MACBO nuk e pranon të ketë ndodhur.
Përfaqësuesi juridik i MACBO shpjegoi se kalimi i aksioneve është bërë para një noteri dhe pretendimi është se është nënshkruar nga zoti Behxhet Pacolli, gjë që sipas tyre nuk është e vërtetë dhe për këtë arsye është bërë një padi në gjykatë.
“Gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë aksionerit më të vogël, ndërkohë që ajo e Apelit na dha të drejtë neve. Menjëherë pas kësaj, kur u duk sikur ngërçi u zgjidh, me një tjetër sigurim padie në gjykatë u vendos pezullimi. Kjo ka lënë aksionerin më të madh të përjashtuar nga vendimmarrja dhe nga çdo hap që hidhet lidhur me zbatimin e kontratës,” thanë përfaqësues të kompanisë.
Ata theksuan se, duke qenë të përjashtuar nga ky proces, nuk kanë akses në asnjë zhvillim që lidhet me aeroportin. Për pasojë, kërkojnë një auditim ndërkombëtar që të vlerësojë cilësinë dhe aspektet teknike të aeroportit, duke e konsideruar atë një vepër me rëndësi të veçantë.
Dy skenarët për konfliktin
Përfaqësues të kompanisë thanë se nëse gjykata do të zgjidhë ngërçin, kompania MACBO, e cila është garantore e një kredie prej 57 milionë eurosh me asete në vlerën 180 milionë euro, mund të përshpejtojë punimet dhe të vijojë me certifikimet e nevojshme për t’u futur aeroporti i Vlorës në operim brenda disa muajsh.
Në rast se çështja zvarritet dhe MACBO mbetet e përjashtuar, duke u “shpronësuar” kështu nga e drejta e saj në këtë koncesion, atëherë çështja do të ndiqet në Arbitrazh. Përveç përfaqësuesve të kompanisë, Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje në vitin 1993 me Zvicrën për mbrojtjen e investimeve. Po kështu, të drejtat e kompanive mbrohen edhe me marrëveshje të tjera ndërkombëtare. Prandaj, nëse zgjidhja nuk do të vijë nga gjykatat vendase, MACBO do t’i drejtohet arbitrazhit në Londër.
