“Na vjen turp!” Tension në rritje me SHBA pas vrasjeve masive. Presidenti iranian kërkon falje për shtypjen e dhunshme të protestuesve
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, kërkoi falje publike për të gjithë ata që u preken nga protestat kombëtare dhe shtypja e dhunshme që pasoi. Ai shprehu keqardhje për “pikëllimin e madh” të qytetarëve, por nuk pranoi drejtpërdrejt përgjegjësinë e forcave të sigurisë iraniane për gjakderdhjen.
“Na vjen turp para njerëzve dhe jemi të detyruar të ndihmojmë të gjithë ata që janë dëmtuar në këto incidente,” tha Pezeshkian, duke shtuar se vendi i tij nuk kërkon përplasje me qytetarët.
Deklarata erdhi ndërsa Irani shënoi 47-vjetorin e Revolucionit Islamik të vitit 1979, në një periudhë kur vendi po përballet me presion të brendshëm dhe të jashtëm. Presidenti amerikan Donald Trump ka sugjeruar dislokimin e një grupi tjetër anijesh në Lindjen e Mesme, ndërkohë që publiku vazhdon të kundërshtojë shtypjen e dhunshme të protestave.
Irani është ende në negociata me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor, por mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) nuk ka mundur për muaj të tërë të inspektojë dhe verifikojë rezervat bërthamore të vendit.
Në ditën e përkujtimit, autoritetet iraniane transmetuan imazhe të dhjetëra mijëra qytetarëve që marshonin për të mbështetur teokracinë dhe Liderin Suprem 86-vjeçar, Ayatollah Ali Khamenei. Megjithatë, disa dëshmitarë raportuan se në mbrëmje nga shtëpitë dëgjoheshin thirrje “Vdekje diktatorit!” në Teheran.
Në rrugë, qytetarët mbanin portrete të Khamenei dhe të themeluesit të Republikës Islamike, Ayatollah Ruhollah Khomeini, si dhe flamuj iranianë dhe palestinezë. Disa brohorisnin gjithashtu “Vdekje Amerikës!” dhe “Vdekje Izraelit!”.
Mbështetësit e fortë të teokracisë përfshijnë kryesisht Gardistët Revolucionarë, të cilët shtypën protestat muajin e kaluar, duke vrarë mijëra persona dhe duke arrestuar dhjetëra mijëra të tjerë. Të tjerë morën pjesë në festime për arsye pune ose për atmosferën festive të organizuar nga qeveria.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i sigurisë iraniane, Ali Larijani, udhëtoi nga Omani në Katar, vendi pritës i një baze të rëndësishme amerikane dhe ndërmjetës në negociatat bërthamore.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në një intervistë për kanalin rus RT, deklaroi se Irani ende nuk ka “besim të plotë ndaj amerikanëve” për shkak të sulmit amerikan mbi bazat bërthamore iraniane gjatë negociatave të mëparshme. Megjithatë, ai shtoi se është e mundur arritja e një marrëveshjeje më të mirë se ajo e vitit 2015, e nënshkruar gjatë presidencës së Barack Obama.
Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar tashmë grupin e anijes USS Abraham Lincoln dhe mjete të tjera luftarake në Lindjen e Mesme, duke pasur gatishmërinë për të ndërhyrë në rast nevoje. Trump gjithashtu sugjeroi mundësinë e dërgimit të një anije tjetër luftarake në rajon.
Situata mbetet e tensionuar ndërsa Irani përballet me presion ndërkombëtar për çështjen bërthamore dhe sfida politike të brendshme pas protestave dhe shtypjes së dhunshme.
