“`html
Tregu i sigurimeve, kompanitë më të mëdha humbën lehtë pjesë tregu në 2025
Kompanitë kryesuese të tregut të sigurimeve humbën lehtë terren gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), edhe për vitin 2025 tregu i sigurimeve, sipas primeve të shkruara bruto, u kryesua nga Sigal.
Megjithatë, pjesa e saj e tregut pësoi rënie të lehtë në 25.37%, nga 25.49% që kishte qenë një vit më parë. Albsig ruajti vendin e dytë në treg edhe për vitin 2025, por pjesa e saj e tregut ra në 19.09%, nga 19.23% që kishte qenë një vit më parë. Eurosig mbajti vendin e tretë në treg, me 13.73% të primeve të shkruara bruto, por edhe ajo pësoi rënie të lehtë nga niveli 13.8% që zotëronte një vit më parë.
Sigma Vienna Insurance Group e rriti pjesën e tregut për të dytin vit radhazi në 2025 dhe u rendit e katërta, me 12.69% të primeve të shkruara bruto, nga 12.59% që mbante një vit më parë. Kompania tjetër e Vienna Insurance Group, Intersig për vitin 2025 mbante 9.22% të tregut, në rënie nga niveli prej 9.43% i vitit 2024.
Më tej, renditja e tregut sipas primeve të shkruara bruto vijon me Insig, që është rritur në 7.22%, nga 6.94% që mbante në vitin 2024 dhe Ansig, që në 2025 zotëronte 6.43% të tregut, nga 6.37% që mbante një vit më parë. Atlantik edhe për vitin 2025 mbylli renditjen e tregut, me 6.25% të primeve të shkruara bruto, nga 6.15% që mbante një vit më parë.
Në nivel të grupeve siguruese, renditja për vitin 2025 kryesohet sërish nga Sigal Insurance Group, me 25.37% të primeve të shkruara bruto (25.49% në vitin 2024), e ndjekur nga Vienna Insurance Group, me 21.91% (22.01% në vitin 2024) dhe grupi Eurosig, me 20.95% (20.74% në vitin 2023).
Në ndarjen e tregut sipas origjinës së kapitalit, kompanitë shqiptare vitin e kaluar e zgjeruan më tej dominimin, pasi grupi austriak Uniqa u largua nga Shqipëria, duke e shitur kompaninë te aksionari shqiptar i kompanisë Sigal. Kompanitë me kapital shqiptar zotëronin 78.09% të tregut sipas primeve të shkruara bruto për vitin 2025, nga afërsisht 52.49% që zotëronin për vitin 2024.
Në tregun e sigurimeve të Jo-Jetës veprojnë tetë kompani sigurimesh dhe prej më shumë se një dekade nuk shënohen hyrje të reja në treg. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), primet e shkruara bruto në sigurime vitin e kaluar arritën një vlerë totale prej 27.1 miliardë lekësh, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë. Tregu i sigurimeve të Jo-Jetës përbënte edhe pjesën dërrmuese të tregut, me 24.6 miliardë lekë prime (91% të totalit), në rritje me 9.9% krahasuar me vitin 2024.
“`
