Masakra në Kanada: Nxënësi rrëfen me lot në sy, bllokuam dyert me banka për dy orë
Një ngjarje e rëndë tronditi British Columbia, Kanada, ku 10 persona humbën jetën dhe 25 të tjerë u plagosën në një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme. Autori i krimit, një grua, ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës. Deri më tani, identiteti i saj nuk është bërë publik, ashtu si edhe motivi pas këtij akti makabër.
Detaje tronditëse nga ngjarja:
- 6 viktima u gjetën të vdekura brenda shkollës.
- 1 person vdiq gjatë transportit drejt spitalit.
- 2 persona të tjerë u gjetën të vdekur në një banesë, lidhur me sulmin.
- 25 persona janë transportuar në spitale, disa me lëndime të rënda të cilat kërkuan transportim me helikopter.
Policia kanadeze ka deklaruar se ende po përpiqen të kuptojnë motivin e sulmit. Inspektor Ken Floyd u shpreh: “Nuk jemi në gjendje të kuptojmë pse ose çfarë mund të ketë çuar në këtë tragjedi. Mendoj se do ta kemi të vështirë të përcaktojmë ‘pse-në’, por do të bëjmë çmos për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.”
Darian Quist, një nxënës i pranishëm në shkollë gjatë sulmit, tregoi për CBC-në përvojën e tij terrorizuese. Pasi u dha alarmi dhe u dhanë udhëzime për të mbyllur dyert e klasave, ai dhe shokët e tij kuptuan se diçka serioze po ndodhte. “Ne morëm bankat dhe i bllokuam dyert për më shumë se dy orë,” tha studenti, duke shtuar se më pas policia mbërriti dhe i nxori nga shkolla.
