Trump rrit tarifat ndaj Zvicrës: “Nuk më pëlqeu si folët!”

“Ishte shumë agresive, por…” Trump shpjegon rritjen e tarifave ndaj Zvicrës: Nuk më pëlqeu mënyra se si folën me mua!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka urdhëruar një rritje shtesë prej 9% të tarifave ndaj Zvicrës, duke i çuar ato në nivelin 39%. Sipas tij, ky vendim erdhi sepse nuk i pëlqeu mënyra sesi iu drejtua një zyrtare zvicerane gjatë një telefonate.

Në një intervistë për Fox Business, Trump tha se fillimisht kishte vendosur një tarifë prej 30%, të cilën e konsideroi “shumë të ulët”. Ai tregoi se më pas kishte marrë një telefonatë urgjente nga Carina Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal Zviceran, të cilën ai gabimisht e quajti “kryeministre”.

“Vendosa një tarifë prej 30%. Pastaj mora një telefonatë urgjente nga, mendoj, Kryeministrja e Zvicrës. Ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme. Tha: ‘Zotëri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta bëjmë këtë.’ Nuk munda t’ia mbyllja telefonin,” u shpreh Trump.

Sipas presidentit amerikan, ai i ka theksuar zyrtares se, pavarësisht madhësisë së vogël të vendit, Zvicra ka një deficit tregtar prej 42 miliardë dollarësh me Shtetet e Bashkuara. Ai pretendoi gjithashtu se Zvicra nuk paguan tarifa ndaj SHBA-së, ndërsa eksporton produkte “me një normë që askush nuk do ta besonte”.

“Vazhdimisht më thoshte: ‘Ne jemi një vend i vogël’. Nuk munda ta bëja të mbyllte telefonin. Kështu që, në vend që ta ulja tarifën, e ngrita nga 30% në 39%,” shtoi ai.

Deklarata të ngjashme Trump kishte bërë edhe gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ku dukej i pasigurt nëse Zvicra ka kryeministër apo president, duke theksuar sërish se zyrtarja zvicerane ishte “shumë përsëritëse” në kërkesat e saj.

Duhet theksuar se Zvicra nuk ka një kryeministër apo president ekzekutiv. Vendi qeveriset nga një Këshill Federal me shtatë anëtarë, që ushtron pushtetin në mënyrë kolegjiale.

Scroll to Top