“`html
Aeroporti i Vlorës/ MABCO: Punimet po cënojnë sigurinë, kërkohet audit ndërkombëtar!
Përfaqësues të shoqërisë zvicerane MABCO, pjesë e Mabetex Group dhe zotëruese e 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA, dolën sot në një konferencë për shtyp duke denoncuar atë që e cilësuan “shpronësim de facto” përmes vendimeve gjyqësore të shkallës së parë.
Në deklaratën zyrtare, kompania zvicerane paralajmëron se situata ka pasoja të drejtpërdrejta mbi ecurinë e punimeve, menaxhimin e projektit dhe mbi të gjitha mbi standardet e sigurisë së aeroportit.
MABCO pretendon se aktualisht është përjashtuar nga çdo proces kontrolli, ndërkohë që ortaku minoritar me 2% po ushtron në praktikë kontroll të plotë mbi shoqërinë koncesionare, pa transparencë dhe pa përfshirjen e investitorit kryesor.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, kompania kërkon nisjen e një auditimi teknik ndërkombëtar për të verifikuar integritetin dhe sigurinë e punimeve në terren, ndërsa është në pritje të një vendimi të drejtë nga Gjykata e Apelit për këtë çështje.
NJOFTIM PËR SHTYP
Deklaratë zyrtare e MABCO mbi situatën juridike, operacionale dhe cenimin e sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës
TIRANË, 11.02.2026 — Shoqëria zvicerane MABCO, pjesë e Mabetex Group, në një konferencë për shtyp të mbajtur ditën e sotme sqaron pozicionin e saj mbi situatën kritike në shoqërinë koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës (VIA). Ky komunikim vjen pas një sërë vendimesh gjyqësore që kanë prodhuar pasoja të rënda juridike, financiare dhe operacionale për projektin dhe investitorin kryesor.
I. Pozicioni Juridik dhe “Shpronësimi De Facto”
MABCO konstaton me shqetësim se, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare VIA, kompania është privuar aktualisht nga çdo e drejtë vendimmarrëse. Përmes vendimeve për sigurim padie të Gjykatës së Shkallës së Parë, është pezulluar në tërësi e drejta e votës së MABCO-s, duke e vendosur investitorin në një situatë që përbën shpronësim faktik (de facto).
Në konferencën për shtyp që Mabco mbajti sot, avokati i kompanisë për Shqipërinë, Ervin Metalla, theksoi disproporcionalitetin e kësaj situate: “Është e pamendueshme dhe e pamundur ligjërisht që një ortak me 2% të kërkojë përjashtimin e ortakut me 98%. Ligji shqiptar për shoqëritë tregtare e ka zgjidhur këtë: nëse një ortak i pakicës nuk bashkëjeton dot me shumicën, mund të kërkojë largimin nga shoqëria dhe likuidimin e kuotës, por jo bllokimin e të gjithë shoqërisë. Ne presim që Gjykata e Apelit të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të korrigjojë këtë situatë absurde, e cila, nëse zvarritet, konfirmon shpronësimin tonë me vendim gjykate.”
II. Siguria e Projektit dhe Kërkesa për Auditim Ndërkombëtar
MABCO ngre alarmin mbi pasojat që kjo paralizë vendimmarrëse ka mbi standardet e sigurisë dhe ecurinë e punimeve. Këshilltarja e kompanisë, Ornela Çuçi, deklaron se në këto rrethana Mabco nuk mund të garantojë për integritetin teknik të aeroportit dhe kërkon një proces certifikimi me ekspertizë ndërkombëtare, që Mabco është e gatshme ta paguaj me shpenzimet e saj: “Sot nuk kemi një aeroport të gatshëm dhe, mbi të gjitha, nuk kemi garanci për sigurinë e tij, pasi askush nuk ka audituar integritetin teknik të veprës. MABCO kërkon vlerësimin e projektit përmes kompanisë SGS, një nga liderët botërorë për certifikimin e projekteve të këtyre përmasave. Kjo procedurë do të paguhet tërësisht nga MABCO, si aksionare e 98% të kuotave, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mënyrës së funksionimit të këtij aseti kombëtar.”
III. Denoncimi i Veprimeve Abuzive Menaxheriale
Drejtori Juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, denoncoi se situata ka kaluar në eksese që tejkalojnë vendimin gjyqësor. Sipas tij, ortaku me 2% ka përvetësuar totalisht shoqërinë VIA, duke ndjekur praktika përjashtuese ndaj mazhorancës:
- MABCO nuk informohet për mbledhjet e asamblesë.
- Përfaqësuesit e MABCO-s nuk lejohen të marrin pjesë në vendimmarrje apo të kenë akses në informacion.
- Mënyra e zbatimit të vendimit të gjykatës po shoqërohet me abuzime flagrante administrative në terren dhe përpjekje për të lidhur kontrata me palë të treta pa marrë parasysh fare interesat e Mabco dhe projektit.
Mabco paralajmëron të gjitha palët e treta që mund të joshen për të lidhur kontrata me VIA-n se i ashtuquajturi administrator i VIA është vendosur nga 2A Group në shkelje të ligjit dhe çdo vendim apo veprim i tij do të kundërshtohet në të gjitha instancat e drejtësisë si absolutisht i pavlefshëm.
IV. Implikimet Ndërkombëtare dhe Thirrja për Ndërhyrje
Avokati i Mabetex në Zvicër, Alessandro Palara, vuri në dukje se gjatë proceseve gjyqësore në Shqipëri janë shkelur të drejtat ndërkombëtare që mbrojnë një biznes zviceran. Ai nënvizoi se interesi publik rreth Aeroportit të Vlorës mund të ruhet vetëm përmes ndërhyrjes së shtetit shqiptar, për të shmangur pasoja të mëtejshme.
Shoqëria MABCO bën me dije se ka informuar zyrtarisht autoritetin kontraktor mbi rreziqet e kësaj situate. Çdo vendimmarrje e pakontrolluar në një kontratë koncesionare të kësaj natyre sjell implikime të drejtpërdrejta financiare dhe juridike për shtetin shqiptar.
Kompania konfirmoi se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e saj si aksioner shumicë dhe për të garantuar integritetin juridik, teknik dhe financiar të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
“`
