Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, viziton Venezuelën
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka vizituar Venezuelën për të vlerësuar gjendjen e industrisë së naftës në vend.
Wright pritet të takohet me presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, zyrtarë qeveritarë, drejtues të kompanive të naftës dhe të tjerë, sipas një njoftimi.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit të SHBA-së ka lëshuar licenca të rëndësishme për Venezuelën, të cilat lejojnë furnizimin me mallra dhe shërbime, si dhe operacione të caktuara që lidhen me prodhimin e naftës dhe gazit. Këto licenca u mundësojnë kompanive amerikane të marrin pjesë në eksplorimin, zhvillimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit natyror në Venezuelë.
Muajin e kaluar, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu bindjen se kompanitë e naftës janë të gatshme të kthehen në Venezuelë dhe të investojnë miliarda dollarë për rivendosjen e sektorit të naftës. Më 9 janar, Trump u takua me drejtues të kompanive më të mëdha të energjisë për të diskutuar këto mundësi. Gjithashtu, më 14 janar, Trump dhe Rodriguez zhvilluan një bisedë telefonike.
