Qiratë mbajnë ndezur inflacionin edhe në janar, me një rritje prej 2.3%
Qiratë kanë qenë faktori kryesor që ka nxitur rritjen e inflacionit edhe në muajin janar, duke vijuar tendencën e nisur në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, norma e inflacionit e matur me indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në janar 2026 arriti në 2,3%, krahasuar me 1,9% në janar 2025. Në raport me dhjetorin 2025, çmimet e konsumit u rritën me 0,4%.
Rritja e qirave po ndikon ndjeshëm koston e jetesës, sidomos në kryeqytet. Kjo situatë duket se shkaktohet nga qiradhënia ditore nëpërmjet platformave online, si dhe nga fakti që një pjesë e banesave qëndrojnë të pashfrytëzuara si investim, me synimin për t’u rikthyer në treg me çmime më të larta.
Ndikimi kryesor në rritjen vjetore të çmimeve në janar 2026 ka ardhur nga grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me 4,9%. Pasuar nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” dhe “Sigurime dhe shërbime financiare”, të dy me 4,4%. Më pas vijnë “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,7%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,6%, “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 2,4%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,0%, “Shërbimi arsimor” me 1,9%, dhe “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8%, e të tjerë.
Krahasuar me dhjetorin 2025, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,2%. Ky grup pasohet nga “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,7%, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 0,6%, dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0,5%, e të tjerë.
Nga ana tjetër, grupi “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0,5%, i ndjekur nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 0,4%, dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi“ me 0,1%.
INTAT ka argumentuar se rritja vjetore e çmimeve në muajin janar është ndikuar kryesisht nga grupi “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me +0,87 pikë përqindje. Ai pasohet nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,61 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupeve “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Restorante dhe shërbime akomodimi” kontribuuan me +0,14 pikë përqindje secili. Grupi “Pije alkoolike dhe duhan” ndikoi me +0,13 pikë përqindje, grupi “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,11 pikë përqindje, grupi “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,09 pikë përqindje, grupi “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,07 pikë përqindje, grupi “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje, grupi “Transporti” me +0,03 pikë përqindje, grupi “Informacioni dhe komunikimi” me +0,02 pikë përqindje, dhe grupet “Veshje dhe këpucë” dhe “Shëndeti” me +0,01 pikë përqindje secili.