Berisha: I mbetet sovranit të thotë fjalën e tij për imunitetin e Ballukut
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mazhoranca është trembur nga protesta që opozita planifikon të mbajë më 20 shkurt.
Duke folur jashtë parlamentit, pas lënies pa fjalë në seancën plenare nga kryeparlamentari Niko Peleshi, Berisha u shpreh për mediat se protesta e 10 shkurtit i ka shqetësuar ata. Ai sulmoi qeverinë Rama për vjedhje dhe skandale, ndërsa akuzoi Kuvendin se është kthyer në mburojë për ish-ministren Belinda Balluku.
Sipas Berishës, parlamenti po mbron vjedhjet e kryeministrit Edi Rama, Belinda Ballukut dhe ministrave të tjerë. Kryedemokrati theksoi se i takon qytetarëve të vendosin për imunitetin e Belinda Ballukut, pasi parlamenti nuk po e heq atë.
Ai shtoi se ky parlament është duke shkelur kushtetutën dhe është kthyer në strehë për “hajdutë shtetërorë”.
“Po bën mburojë për vjedhjet e Ramës, Ballukut dhe ministrave të tjerë. I mbetet sovranit të thonë fjalën e tyre për imunitetin e Ballukut, Ramës dhe të tjerëve që kanë borxhe miliarda euro të vjedhura. Unë i bëj thirrje qytetarëve që 20 shkurti është dita e tyre, ky parlament është armik i egër i shqiptarëve. Pas dështimit në Gjykatën Kushtetuese, Edi Rama ka shndërruar parlamentin në mbrojtje të krimeve të shëmtuara”, tha Berisha.
