Mjaftueshmëria e Kapitalit të Sektorit Bankar Arrini Nivelin më të Lartë Historik në Fund të vitit 2025
Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar vijoi rritjen gjatë vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë historik. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, në fund të dhjetorit 2025 ky tregues arriti në 20.36%, nga 19.82% që ishte një vit më parë.
Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat raportin mes kapitalit rregullator të sektorit bankar dhe vlerës së aktiveve, të peshuara me koeficientë rreziku përkatës. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, rritja e këtij treguesi u ndikua si nga rritja e kapitalit rregullator, ashtu edhe nga ulja e vlerës së aktiveve të peshuara me koeficientë rreziku.
Në fund të dhjetorit 2025, vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar arriti në 232.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 12.1% krahasuar me vitin paraprak. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar përbëhet kryesisht nga kapital i nivelit të parë, i cili përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, si kapitali aksionar i paguar, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara. Kontributi kryesor në rritjen e kapitalit rregullator në vitet e fundit vjen nga performanca e mirë financiare dhe zgjerimi i fitimeve të sektorit.
Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të peshuara me koeficientë rreziku në fund të vitit 2025 arriti në 1140 miliardë lekë, duke u rritur me 9.1% krahasuar me një vit më parë. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave përbëhet nga kreditë dhënë sektorit privat. Rritja e këtyre aktiveve është në thelb e lidhur me vazhdimin e rritjes me ritme të larta të kredisë për ekonominë.
Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%. Megjithatë, pas vitit 2019, kanë nisur të aplikohen shtesa të tjera, si ato të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Këto masa kanë rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke kontribuar në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.
Duke përfshirë shtesën konservuese të kapitalit prej 2.5%, raporti total i mjaftueshmërisë së kapitalit arrin në 14.5%. Ndërsa duke llogaritur edhe shtesat kundërciklike të miratuara nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2025 raporti minimal i mjaftueshmërisë së kapitalit për të gjitha bankat arriti në 15.5%.
Kërkesat e kapitalizimit janë edhe më të larta për një grup të veçantë bankash, të cilat klasifikohen si me rëndësi sistemike. Banka Kombëtare Tregtare (BKT), Banka Credins, Banka Raiffeisen dhe Banka Intesa Sanpaolo kanë shtesa shtesë në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, në masën midis 0.5% dhe 1%. Për më tepër, bankat me rëndësi sistemike, duke filluar nga 1 janari 2024, duhet të plotësojnë edhe shtesën e kërkuar të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
