Tragjedi në Nil, 21 viktima nga mbytja e anijes

Tragjedi në Sudanin verior: Mbytet anije në Nil, 21 viktima

Një tragjedi e rëndë ka goditur Sudanin verior, ku të paktën 21 persona kanë humbur jetën pas mbytjes së një anijeje në lumin Nil mbrëmjen e së mërkurës.

Autoritetet lokale njoftuan se deri më tani janë gjetur 21 trupa, ndërkohë që ende nuk ka detaje mbi shkaqet e aksidentit. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të zhdukur.

Sipas dëshmitarëve, varka mbante rreth 30 persona kur u përmbys mes fshatrave Taiba al-Kawad dhe Deim al-Qarai, pranë qytetit Sendi, rreth 200 kilometra në veri të kryeqytetit Khartum. Gjashtë persona kanë arritur të shpëtohen.

Autoritetet e shtetit të Nilit e cilësuan ngjarjen si një “tragjedi të tmerrshme humanitare” dhe theksuan se ajo nxjerr në pah cenueshmërinë e transportit lumor dhe mungesën e masave bazë të sigurisë. Ata u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e fatkeqësive të tilla.

Shumë sudanezë mbështeten te anije të vogla të drejtuara nga individë privatë për transportin lumor, ndërkohë që infrastruktura e vendit është dëmtuar rëndë pas më shumë se tre vitesh luftë. Konflikti i armatosur mes ushtrisë së rregullt dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, që prej prillit 2023, ka sjellë mbylljen e rrugëve dhe përkeqësimin e thellë të shërbimeve publike, duke e bërë transportin edhe më të rrezikshëm për qytetarët.

Një ngjarje e ngjashme u regjistrua edhe në korrik të vitit 2024, kur rreth 20 persona, që përpiqeshin t’i shpëtonin luftimeve, humbën jetën pas mbytjes së një tjetër anijeje në lumin Nil, në shtetin juglindor të Shinarit.

Scroll to Top