Mitaj “shpëton” nga Benzeman, Núñez i sakrifikuari te Al-Hilal

Largimi i Benzemas “shpëtoi” Mario Mitajn, me francezin tani e pëson Darwin Núñez

Klubet saudite kanë shpenzuar shifra marramendëse në vitet e fundit duke afruar lojtarë, por shpesh pa një qasje të qartë drejt administrimit sportiv. Kjo ka sjellë situata ku janë blerë shumë lojtarë të huaj, duke tejkaluar limitet e vendosura në kampionatin vendas, ku lejohet aktivizimi i një numri të caktuar të tyre.

Nga kjo situatë ka vuajtur shpesh gjatë vitit të kaluar mbrojtësi shqiptar Mario Mitaj te Al-Ittihad. Meqë klubi kishte shumë të huaj, ai ishte shpesh mes atyre të sakrifikuarve për t’i bërë vend të tjerëve. Situata u normalizua disi së fundmi dhe, me largimin e Karim Benzemas gjatë merkatos së dimrit, për Mitajn u hap vend në hierarkinë e lojtarëve të huaj në skuadër.

Megjithatë, telashet janë zhvendosur tashmë te Al-Hilal, ku afrimi i Benzemas në momentet e fundit ka sjellë mbingarkesë në radhët e ekipit. Kështu, në klub është vendosur që të sakrifikohet një tjetër emër i njohur, si Darwin Núñez.

Sulmuesi uruguaian, edhe pse u ble gjatë verës për 53 milionë euro, nuk ka bindur trajnerin Simone Inzaghi. Për këtë arsye, është vendosur që pikërisht Núñez të lihet jashtë listës për aktivitetet kombëtare. Ai nuk do të mund të luajë deri në fund të sezonit me klubin e Al-Hilal në kampionatin saudit, por do të ketë mundësi të luajë në Ligën e Kampioneve, nëse Inzaghi e sheh të arsyeshme.

Scroll to Top