Muçi, si sulmuesi i Atletico Madrid: Trabzonspori ka plane të qarta për lojtarin kuqezi
Ernest Muçi po fiton vëmendje falë formës së tij aktuale te Trabzonspori, duke dhuruar paraqitje cilësore, si dhe gola e asistime për klubin ku është huazuar nga Besiktashi.
Sipas burimeve të gazetës turke “Sabah”, klubi ka tashmë një strategji të qartë për të ardhmen e futbollistit shqiptar. Aktivizimi i klauzolës së blerjes së tij për 8,5 milionë euro konsiderohet i sigurt, pavarësisht rezultateve deri në fund të sezonit.
Paraqitjet e Muçit kanë justifikuar plotësisht këtë investim. Megjithatë, ekziston një faktor shtesë që inkurajon klubin të finalizojë sa më shpejt negociatat me Besiktashin. Raportohet se Muçi ka zgjuar interesin e shumë klubeve evropiane, të cilat po dërgojnë skautë për ta vëzhguar.
Për këtë arsye, Trabzonspori synon të ndjekë të njëjtën strategji si me Aleksander Sorloth. Sulmuesi norvegjez, aktualisht pjesë e Atletico Madrid, u huazua në vitin 2019 me të drejtë blerje nga Crystal Palace. Falë performancave të tij në Turqi, ai tërhoqi vëmendjen e Leipzig.
Trabzonspori aktivizoi klauzolën për ta blerë Sorloth për 10 milionë euro dhe më pas e shiti për 20 milionë euro, duke realizuar një fitim të konsiderueshëm brenda një viti. Pritet që e njëjta situatë të ndodhë edhe me Muçin, në rast se vjen një ofertë e rëndësishme që mund të përmirësojë situatën financiare të klubit, ashtu siç ndodhi me Sorloth.
