Balla: Këshilli i Mandateve do të mblidhet, pret vendimin e Gjykatës

Afera e Ballukut: Balla konfirmon mbledhjen e Këshillit të Mandateve, por pa afat

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi nga Kuvendi, në fund të seancës së sotme, se Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Deputeti socialist theksoi se Këshilli do ta shqyrtojë kërkesën dhe do të vijojë me adresimin e çështjeve të ngritura nga Gjykata Kushtetuese, duke pritur zbardhjen e vendimit të marrë ditët e fundit.

Balla sqaroi se Këshilli i Mandateve ka një afat prej 3 muajsh dhe se vendimmarrja e mëparshme ka përcaktuar detyrimin për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi Kuvendi ishte palë e përfshirë në çështje.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është plotësisht në përputhje me Kuvendin. Këshilli i Mandateve ka një afat kohor të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill ka qartësuar kohëzgjatjen e një çështjeje ku Kuvendi i Shqipërisë ishte palë e përfshirë. Natyrshëm, ne ishim të detyruar të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha deputeti nga foltorja.

Ai shtoi se nuk ka asnjë dyshim se Këshilli i Mandateve do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën. “Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse tetë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i dhanë të drejtë palës kërkuese, kryeministrit, lidhur me ndërhyrjen në kompetencat e Këshillit të Ministrave, parlamentit dhe presidentit. Nuk ka asnjë dyshim që Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën. Ndërkohë, ne do të vijojmë me procesin e adresimit të asaj që ka thënë Gjykata Kushtetuese. Na duhet ta marrim vendimin të zbardhur,” përfundoi Balla.

Scroll to Top