Lubonja: Arsyeja pse Rama po e mbron Belinda Ballukun
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, i ftuar në një emision televiziv, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u fokusuar te akuzat e ngritura nga SPAK ndaj Belinda Ballukut. Balluku, e cila është pezulluar nga detyra si zv/kryeministre, po kërkohet të arrestohet nga SPAK.
Lubonja ka ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e çështjes Balluku në krahasim me rastin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj. Ai sugjeron se ky ndryshim mund të lidhet me ndikimin politik të aferave të dyshuara.
“Ku është ndryshimi mes Ahmetajt dhe Ballukut? A u gjetën krime te Ahmetaj dhe te Balluku nuk po gjenden? Apo ndryshimi është se krimet e Ahmetajt nuk e preknin Ramën, ndërsa këto të Ballukut e prekin? Unë besoj se është kjo e dyta,” – u shpreh ai.
Sipas Lubonjës, kur çështje të tilla reduktohen në debate procedurale, thelbi i problemit humbet. Ai theksoi se imuniteti i Ballukut duhet të hiqet, duke shtuar se kjo nuk ka lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e saj nga detyra.
“Janë shtuar prova të tjera për Ballukun dhe ndaj SPAK ka kërkuar arrestimin e saj. Unë gjykoj se është kështu,” – tha Lubonja.
Ai komentoi gjithashtu protestën e 10 shkurtit, duke u shprehur se ajo duhet të kishte pasur një dinamikë tjetër, referuar kauzave për të cilat u organizua. Sipas Lubonjës, nisur nga vjedhjet që ai i atribon zv/kryeministres, Kuvendi duhet të ishte djegur, por opozita është dobësuar dhe nuk ka mundur të organizojë protesta më të fuqishme.
“Problem është raporti i pushtetit me protestat, që nuk pranohen. Unë mendoj se opozita është dobësuar. Këtu duhen protesta shumë më të forta, me këto vjedhje që ka bërë Balluku me Ramën mund të ishte djegur Kuvendi. Ne bëjmë sikur protestojmë, jemi popull i nënshtruar. Do e kishin djegur po të ishte popull nga këta perëndimorët, atë Betino Kraksin kur i doli skandali, e kanë pritur të dalë nga hoteli dhe kanë dashur ta linçojnë. Ndaj këtu duhet ridimensionuar çdo gjë. Ca ti bësh këtyre, këta janë banditë. Protestat thonë bëjini paqësore. Përdorimi i molotovëve është normale, nuk u vra njeri. E keni parë çfarë bëjnë grekët, francezët? Ne popull dele jemi, duan të na bëjnë kafshë më të butë.
Meqë më përmendët 21 janarin, e kam thënë dhe herë tjetër, 700 mijë euro ishte biseda e Metës me Priftin. Deklaratat e PS atëherë ishin që populli nuk duron dot më. Dhe këta nuk e morën përgjegjësinë si organizatorë” – tha Lubonja.
