Kultivonte parcelë kanabisi në Krujë, i dënuari kapet pas katër vitesh kërkime.
Një 28-vjeçar, i cili ishte në kërkim për kultivim droge dhe i dënuar në mungesë me 4 vjet burg, është arrestuar në Krujë. Policia e Krujës njoftoi se ka vënë në pranga shtetasin me inicialet S. X., banues në Tiranë.
Ai ishte dënuar në vitin 2022 për veprën penale “kultivimi i bimëve narkotike”. Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Catch”, i cili ka për qëllim arrestimin e personave në kërkim.
“Si rezultat i kontrolleve të mbështetura tek informacione të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të operacionit të koduar “Catch”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim, S. X., 28 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
