Hekurudha Tiranë-Durrës: Vendosja e rrjetave mbrojtëse

Vëzhgim: Hekurudha Tiranë-Durrës, Nis Vendosja e Rrjetave Mbrojtëse në Zonat e Banuara

Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin drejt Rinasit po përparojnë në segmente të ndryshme. Këtë javë ka nisur vendosja e rrjetave mbrojtëse në zonat e banuara të kryeqytetit. Vëzhgimet në terren tregojnë se kompania e angazhuar në punime ka filluar instalimin e këtyre rrjetave në disa pjesë.

Fotot shoqëruese ilustrojnë punimet pranë kryqëzimit që lidh rrugën “Coca-Cola” me kalimin drejt Lakenasit. Ky segment përfshin një kalim në nivel pa barriera, ku rruga ndërpritet nga vija e hekurudhës dhe sinjalizohet nga Kryqi i Shën Andreas.

Sipas projektit, hekurudha e re Durrës-Tiranë-Rinas do të jetë e pajisur me rrjeta dhe kangjella për të izoluar pjesën më të madhe të trasës nga zonat e banuara. Kjo masë sigurie ka për qëllim të parandalojë kalimin e paligjshëm të njerëzve dhe kafshëve, duke siguruar kështu qarkullimin e sigurt të trenave me shpejtësi të lartë.

Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin Tiranë-Rinas kanë filluar në vitin 2021, duke u realizuar nga kompania fituese e tenderit, INC S.p.a., dhe kompanitë e kontraktuara prej saj. Afatet e përfundimit të projektit kanë pësuar ndryshime të vazhdueshme, por sipas deklaratave të fundit nga përfaqësues të qeverisë dhe drejtues të Hekurudhave, nisja e plotë e operimit pritet të bëhet në fillim të vitit 2027.

Më herët, Hekurudha Shqiptare ka njoftuar për një “market teaser” me qëllim tërheqjen e vëmendjes së palëve të interesuara për ofrimin e njësive të nevojshme për hekurudhën. Këto mund të jenë njësi të përdorura, ndërkohë që është deklaruar se operimi i trenave të pasagjerëve do të funksionojë nën një model potencial koncesioni, duke u menaxhuar nga një operator privat me eksperiencë në këtë fushë.

Ky projekt, fillimisht i financuar me një kredi rreth 70 milionë euro nga BERZH, mori një shtesë prej 40 milionë eurosh në fillim të këtij viti nga qeveria për mbylljen e punimeve. Argumenti i paraqitur për këtë shtesë lidhet me rritjen e ndjeshme të kostos së materialeve të ndërtimit, ndërkohë që një pjesë e fondeve shtesë do të dedikohet për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas ka një gjatësi prej 39 kilometra. Trenat në këtë linjë do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total, përgjatë gjithë linjës do të jenë 11 stacione.

Scroll to Top