Rrugëtimin e Ligës së Kombeve e nisim nga shtëpia, zbulohen datat dhe oraret kur do të zbresë në fushë Kombëtarja shqiptare
Shqipëria mësoi kundërshtarët që do të ketë në Ligën e Kombeve për sezonin e ri. Shorti ishte i favorshëm për ekipin kuqezi, duke i vendosur në grup me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.
Të hënën u publikua kalendari me datat dhe oraret e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare. Ekipi ynë do të luajë ndeshjen e parë në shtëpi kundër Bjellorusisë më 26 shtator, në orën 20:45. Tre ditë më vonë, më 29 shtator, do të zhvillojmë transfertën me San Marinon.
Kuqezinjtë rikthehen në fushë më 3 tetor, ku do të luajnë në transfertë me Finlandën. Më 6 tetor, Kombëtarja do të presë në shtëpi San Marinon.
Dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve do të zhvillohen në muajin nëntor. Më 12 nëntor, Shqipëria pret Finlandën, ndërsa më 15 nëntor do të luajë si mysafire kundër Bjellorusisë.
KALENDARI I PLOTË:
- Shqipëri – Bjellorusi, ora 20:45, 26 shtator 2026
- San Marino – Shqipëri, ora 20:45, 29 shtator 2026
- Finlandë – Shqipëri, ora 15:00, 3 tetor 2026
- Shqipëri – San Marino, ora 20:45, 6 tetor 2026
- Shqipëri – Finlandë, ora 20:45, 12 nëntor 2026
- Bjellorusi – Shqipëri, ora 18:00, 15 nëntor 2026
Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme, më të zgjatur. Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen në periudhën 12–17 nëntor.
Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata me klubet europiane.
