Përplasjet thellojnë ndarjen mes dy fuqive aziatike / Japonia bllokon një anije peshkimi kineze që tentoi të arratisej
Autoritetet japoneze kanë sekuestruar një anije peshkimi kineze, pasi ajo tentoi të largohej pas marrjes së urdhrit për ndalim dhe inspektim. Ky incident pritet të përshkallëzojë më tej tensionet mes Tokios dhe Pekinit.
Sipas Agjencisë Japoneze të Peshkimit, anija ndodhej brenda zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë, pranë qytetit të Nagasakit. Kur inspektorët kërkuan ndalimin për kontroll, kapiteni nuk iu bind urdhrit dhe u përpoq të arratisej, duke sjellë ndërhyrjen e autoriteteve dhe arrestimin e tij.
Në bord ndodheshin 11 persona, përfshirë kapitenin 47-vjeçar, shtetas kinez. Media japoneze e përshkroi mjetin lundrues si një “anije peshkimi me kapacitet të lartë”.
Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Minoru Kihara, deklaroi se Japonia do të vazhdojë të marrë masa të vendosura brenda kuadrit të zbatimit të ligjit për të parandaluar dhe dekurajuar aktivitetet e paligjshme të peshkimit nga anijet e huaja.
Deri më tani, Kina nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj sekuestrimit.
Incidenti vjen në një klimë të tensionuar mes dy vendeve, pas deklaratave të kryeministres japoneze Sanae Takaichi, e cila paralajmëroi se një sulm i Ushtrisë Çlirimtare Popullore ndaj Tajvanit mund të përfshijë Japoninë në konflikt. Takaichi theksoi se Tokio duhet të “parashikojë skenarin më të keq” në Ngushticën e Tajvanit dhe të jetë e gatshme të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive – një dispozitë e mundësuar nga ndryshimet ligjore të vitit 2015, të miratuara gjatë mandatit të ish-kryeministrit Shinzo Abe.
Deklaratat e saj nxitën reagime ndërkombëtare, përfshirë thirrjen e ish-presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve me Kinën. Megjithatë, Takaichi refuzoi të tërhiqte komentet, duke këmbëngulur se qëndrimi i Japonisë mbetet i pandryshuar.
Në përgjigje, Pekini ka ndërmarrë masa diplomatike dhe ekonomike, përfshirë rivendosjen e ndalimit të importeve të produkteve të detit japoneze dhe shtimin e pranisë ushtarake pranë Ishujve Senkaku dhe rajonit të Okinawas, pjesë e zinxhirit të ishujve Ryukyu.
Ngjarja e fundit me anijen e peshkimit shihet si një tjetër episod në një seri përplasjesh që po thellojnë ndarjet mes dy fuqive aziatike.
