Mungesa e Ramës, Balla me një gabim në Konferencën e Mynihut

Mungesa e Ramës në Konferencën e Mynihut, Balla e nis vizitën me një gabim.

Në një periudhë ku siguria globale përballet me sfida të shumta, si lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe rivaliteti në rritje mes SHBA-së dhe Kinës, Konferenca e Sigurisë së Mynihut, një nga forumet strategjike më të rëndësishme në botë, ka mbledhur sërish pjesëmarrësit.

Konferenca e Mynihut shërben si një platformë ku liderë politikë, ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes, drejtues të NATO-s, BE-së dhe OKB-së, përfaqësues të inteligjencës, ekspertë sigurie dhe diplomatë diskutojnë drejtimet e politikës globale. Mes pjesëmarrësve janë krerë shtetesh dhe qeverish nga Europa dhe Amerika e Veriut, përfaqësues të administratës amerikane, drejtues të lartë të NATO-s dhe BE-së, si dhe delegacione nga Lindja e Mesme dhe Azia.

Ndërsa në vitet e kaluara Shqipëria është përfaqësuar nga kryeministri Edi Rama, këtë vit ai mungon. Në vend të tij, drejt Mynihut ka udhëtuar kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Takimin e tij të parë e ka zhvilluar me Richard Grenell, të cilin e ka prezantuar si të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Misionet Speciale të SHBA.

“Konferenca e Sigurisë Mynih📍🇦🇱🤝🇺🇸 Drekë pune me Richard Grenell, të Dërguarin Special të Presidentit Donald Trump për Misionet Speciale të SHBA. Diskutuam mbi partneritetin e veçantë mes Shqipërisë dhe SHBA,” ka shkruar Taulant Balla në një postim në rrjetet sociale.

Megjithatë, kjo paraqitet si një gabim, pasi Richard Grenell prej një viti mban detyrën e Drejtorit Ekzekutiv të Përkohshëm të Qendrës John F. Kennedy për Artet Performuese, një nga institucionet kulturore të Shteteve të Bashkuara. Javën e kaluar, qendra u mbyll për rikonstruksion dhe Grenell aktualisht është angazhuar me punimet aty.

Qendra Kennedy konsiderohet si një nga skenat më prestigjioze të artit skenik amerikan. Ajo ofron një program të gjerë që përfshin koncerte të muzikës klasike, performanca të orkestrës simfonike kombëtare, shfaqje baleti dhe vallëzimi modern, si trupat e njohura si Alvin Ailey, si edhe baletin klasik “Arrëthyesi”. Repertori përfshin gjithashtu opera, shfaqje teatrore, spektakle magjie dhe aktivitete të dedikuara për fëmijë dhe familje. Gjatë dy viteve të fundit, skena e Kennedy Center ka mirëpritur disa nga muzikalët më të njohur ndërkombëtarë, duke përfshirë “Frozen”, “Funny Girl”, “Les Misérables”, “The Lion King”, “Mamma Mia!”, “Moulin Rouge”, “Spamalot”, “Sunset Boulevard” dhe “Wicked”.

Scroll to Top