Krijohet Fondi Kombëtar për Artin dhe Kulturën, do të financohet nga kursimet e tenderave dhe grantet
Qeveria synon të ngrejë një fond të dedikuar për artin, sportin dhe kulturën. Në një projektligj të nxjerrë për konsultim, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit argumenton se kjo është e nevojshme pasi prej vitesh këto fusha nuk kanë pasur instrumente alternative për financimin e projekteve dhe investimeve me interes publik, të cilat nuk mbulohen nga programet ekzistuese buxhetore.
Sipas projektligjit, “Financimi aktual është i fragmentuar, i kufizuar në kohë dhe në programe të ngurta buxhetore të patrashëgueshme, si dhe shpesh i pamjaftueshëm për të adresuar nevoja emergjente, projekte ndërsektoriale, apo iniciativa me ndikim të gjerë. Sektori i artit, kulturës dhe sportit vijon të përballet me një sërë problematikash strukturore dhe financiare, të cilat kufizojnë zhvillimin e tij të qëndrueshëm, profesionalizimin e aktorëve në fushat respektive dhe veçanërisht përfshirjen e të rinjve”, thuhet në draftin e ligjit.
Si do të krijohet ky fond?
Drafti parashikon disa burime financimi:
- Fondi Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin do të financohet nga kursimet financiare të krijuara nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore qendrore, të konsoliduara në Buxhetin e Shtetit.
- Në Fond do të alokohet 1/3 (një e treta) e kursimeve financiare të konstatuara në nivel qendror, në përputhje me ligjin e buxhetit. Këto kursime përfshijnë edhe ato të krijuara nga procedurat e prokurimit të përqendruar, të zhvilluara nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara (OBP).
- Fondi mund të financohet gjithashtu nga donacione, sponsorizime dhe grante, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Procedura për kalimin e parave do të jetë e tillë që institucionet e administratës shtetërore qendrore do të raportojnë çdo 3 muaj pranë ministrisë përgjegjëse për financat për kursimet financiare të krijuara nga procedurat e prokurimit publik. Kursimet financiare do të derdhen në Buxhetin e Shtetit dhe nuk do të mbahen ose rialokohen nga institucionet përkatëse. Ministria përgjegjëse për financat do të konsolidojë kursimet e raportuara dhe do të përllogaritë shumën përkatëse prej 1/3 (një e treta), e cila do të alokohet për Fondin Kombëtar për Artin, Kulturën dhe Sportin.
