Skandal Korrupsioni dhe Protesta në Shqipëri

Fox News: Skandal korrupsioni në qeverinë e Ramës, protesta të dhunshme në Tiranë

Nga Chriss Massaro

Mijëra protestues antiqeveritarë u konfrontuan dhunshëm me policinë para ndërtesave qeveritare në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në fillim të kësaj jave. Njerëzit kërkuan dorëheqjen e qeverisë pas një skandali masiv korrupsioni.

Partia kryesore e opozitës në Shqipëri bëri thirrje për protesta në rrugë, duke kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ajo u padit nga një prokuror special, i cili pretendonte se kishte ndikuar në mënyrë të padrejtë me vendimet e saj për të favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli prej rreth 6 kilometrash në jug të Shqipërisë.

Gjykata Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e pezulloi Ballukun nga detyra në nëntor, por kryeministri Edi Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese të vendit, e cila e riktheu Ballukun në detyrë në dhjetor. Balluku i mohoi akuzat, duke i cilësuar si “shpifje, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”. Rama ka refuzuar ta shkarkojë atë.

Akuzat për korrupsion kanë shkaktuar zemërim të gjerë dhe protesta në muajt e fundit.

“Vala e protestave popullore në Shqipëri pasqyron një reagim shoqëror në rritje kundër asaj që kritikët e përshkruajnë si sundimi gjithnjë e më autokratik i Kryeministrit Edi Rama,” – tha për Fox News, Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe Kombet e Bashkuara.

“Gjatë më shumë se një dekade në pushtet, Rama akuzohet për centralizim të autoritetit dhe personalizim të institucioneve shtetërore, ndërsa qeveria e tij është përballur me akuza të vazhdueshme për bashkëpunim me krimin e organizuar dhe keqpërdorim të fondeve publike dhe aseteve publike në dobi të klientëve të lidhur politikisht,” – pohoi Nesho.

Rrethanat e dyshimta që rrethojnë aleatin më të rëndësishëm të Ramës dhe mungesa e llogaridhënies përforcojnë ndjenjën e përhapur në shoqërinë shqiptare se qeveria e tyre është e mbushur me korrupsion. Me qeverinë në detyrë dhe figura të opozitës të akuzuara për korrupsion, besimi i publikut te institucionet dhe sistemi i drejtësisë është gërryer vazhdimisht.

Shqipëria ka një histori të gjatë të korrupsionit qeveritar dhe renditet e 91-ta nga 182 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025 të Transparency International.

Protestat e së martës u bënë të dhunshme pasi mbështetësit e Partisë Demokratike të Sali Berishës në opozitë hodhën gurë dhe kokteje molotov drejt zyrave qeveritare në Tiranë. Forcat e sigurisë u përgjigjën me topa uji dhe gaz lotsjellës.

Berisha pretendon se protestat kanë qenë paqësore dhe njerëzit po shprehin vetëm kundërshtimin e tyre ndaj sundimit autokratik në rritje të Ramës dhe sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë.

Të paktën 16 protestues u trajtuan për lëndime dhe 13 persona u arrestuan, sipas Associated Press.

Analistët e rajonit besojnë se Berisha, i cili ishte kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013 dhe përballet me akuza për korrupsion, po përpiqet të rrëzojë kryeministrin socialist dhe rivalin kryesor politik, Edi Rama, dhe të kthehet në pushtet.

Trazirat në Shqipëri vijnë ndërsa vendi ka kërkuar prej kohësh anëtarësim në Bashkimin Evropian, proces i cili filloi në vitin 2014 kur u bë kandidat zyrtar. Ndërsa raporti vjetor i Komisionit Evropian për vitin 2025 deklaroi se Shqipëria bëri hapa të rëndësishëm në reformat gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar, akuzat e fundit kundër qeverisë së Ramës do ta ndërlikojnë rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Shtetet e Bashkuara ndihmuan në zbatimin e procesit të reformës gjyqësore të Shqipërisë, duke përfshirë krijimin e Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK). Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) investoi miliona për të nxitur përparimin demokratik në Shqipëri dhe ndihmoi në luftën e vendit me korrupsionin dhe në forcimin e institucioneve të saj të dobëta.

Nesho paralajmëroi se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojnë vëmendje serioze politikave në Ballkanin Perëndimor dhe të ndihmojnë në afrimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

“Nëse Uashingtoni dhe Brukseli vazhdojnë të shohin nga ana tjetër – duke dështuar në zbatimin e sundimit të ligjit, rivendosjen e kontrolleve dhe balancave reale dhe ndërprerjen e lidhjeve të regjimit me krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës, Shqipëria rrezikon të zhytet në orbitën e autokracisë së stilit lindor,” – tha Nesho.

Scroll to Top