Dashuria në bilanc: Sa kushton Shën Valentini në Shqipëri?
Shën Valentini nuk e ka shpikur dashurinë, por e ka bërë të matshme. Për disa ditë, tregu i Tiranës merr ngjyrë të kuqe. Restorantet transformohen në ambiente intime me qirinj dhe muzikë live, agjencitë turistike promovojnë paketa për fundjavën, ndërsa rrjetet sociale bëhen një vitrinë ku surpriza duhet të duket po aq sa të ndihet.
Në një ekonomi ku konsumatori po mësohet të krahasojë, të kërkojë oferta dhe të blejë më shumë “përvoja”, 14 shkurti është një mini-sezon që rrit xhiron e një sërë sektorësh njëherësh: nga lulet e ëmbëlsirat te argjendaria, hoteleria dhe shërbimet e argëtimit. Kjo ditë vjen gjithashtu në një moment ku çmimet, edhe kur nuk janë në nivele alarmante, mbeten të pranishme në procesin e vendimmarrjes. Inflacioni vjetor në dhjetor 2025 ishte 2.3%, ndërsa rritja mesatare vjetore e çmimeve në 2025 ishte 2.2%. Një “darkë romantike” dhe një “buqetë e bukur” nuk janë thjesht zgjedhje emocionale, por pjesë e një buxheti që krijohet me më shumë kujdes se disa vite më parë. Pikërisht këtu nis ekonomia e Shën Valentinit: jo me pyetjen “Sa do?”, por me pyetjen “Sa duket?”.
Shumë marka shqiptare dhe ndërkombëtare kanë investuar në reklama të shtrenjta gjatë periudhës së Shën Valentinit, duke përdorur influencues të njohur dhe fushata të personalizuara për të tërhequr konsumatorët. Kjo ka bërë që një festë që dikur ishte e thjeshtë të shndërrohet në një ngjarje masive, duke e kthyer tregun shqiptar në një mundësi të madhe për bizneset.
Lulet janë sinjali më i shpejtë i kësaj ekonomie. Ato janë produkte të menjëhershme, të fotografueshme, të krahasueshme dhe me një varësi të fortë nga importi, pra nga kursi i këmbimit, kostot e transportit dhe sezonaliteti. Sipas të dhënave të INSTAT, importet e luleve rriten vit pas viti dhe kulmojnë në muajt shkurt dhe mars, si edhe në verë, kur shtohen dasmat. Kjo është arsyeja pse në prag feste, dyqanet e luleve nuk shesin vetëm trëndafila, por edhe “paketë”: aksesorë, kartolina, tullumbace, kuti dhuratash, pra një vlerë të shtuar rreth produktit bazë, sepse konkurrenca nuk bëhet më te lulja, por te kompozimi dhe shërbimi.
Sipas të dhënave të INSTAT për kapitullin “Pemët dhe bimët, rrënjët, lulet dhe gjethet zbukuruese”, pesha neto e importeve është rritur nga rreth 5.20 milionë kilogramë në vitin 2020 në rreth 9.53 milionë kilogramë në vitin 2025. Kjo përbën një rritje afërsisht 83% në gjashtë vjet. Edhe vlera është zgjeruar ndjeshëm, nga rreth 884.3 milionë në 2020 në rreth 1.39 miliardë në 2025, një rritje prej afërsisht 58%. Në vitin 2025, Holanda dhe Italia janë dy qendrat kryesore të këtij importi, por me role të ndryshme. Holanda kryeson në vlerë, ndërsa Italia në volum. Floristët në kryeqytet pohojnë se kërkesa për buqeta lulesh në Shën Valentin është gjithmonë e qëndrueshme, me shpenzime për to që fillojnë nga 2000 deri në 10.000 lekë.
Nga buqeta te tavolina, “shpenzimi i dashurisë” zhvendoset shpejt te restorantet dhe hotelet. Ajo që blihet në fakt është koha jashtë rutinës, një ambient që të duket i veçantë, një menu e menduar si ceremoni, një performancë e vogël që e dallon mbrëmjen nga një darkë e zakonshme. Në vitet e fundit, ky model është përforcuar edhe nga mënyra se si paguajmë. Banka e Shqipërisë ka raportuar rritje të fortë të pagesave elektronike dhe të pagesave me kartë në POS, duke sinjalizuar se gjithnjë e më shumë transaksione kalojnë në kanale formale, aty ku ofertat, paketat dhe promocionet e organizuara funksionojnë më lehtë. Sipas komunikimeve me disa restorante në kryeqytet, çmimet për një darkë speciale mund të variojnë nga 60 deri në 100 euro për çift, varësisht nga tipologjia e restorantit dhe ofrimi i menusë speciale. Për restorantet me një reputacion të njohur, çmimi mund të arrijë deri në 200 euro për çift. Në qytete si Tirana, Durrësi dhe Vlora, ku turizmi dhe aktivitetet janë më të pranishme, oferta e restoranteve dhe hoteleve që ofrojnë paketat speciale është më e lartë.
Në skajin tjetër të spektrit janë dhuratat “e qëndrueshme”: argjendaria, bizhuteritë, orat, parfumi, ku shpenzimi ka edhe një mesazh statusi. Edhe këtu, tregu ka mësuar të luajë me psikologjinë e konsumatorit: ulje çmimesh, koleksione me motive zemre, personalizime, kuti premium, pra mekanizma që e bëjnë blerjen të duket si investim emocional, jo si luks i thjeshtë. Në një kontakt me argjendarinë Roche Bianka, kërkesat këtë vit janë përqendruar drejt produkteve të personalizuara, me kosto për produkte të tilla që variojnë nga 120 deri në 500 euro.
Ndërkohë, për një pjesë të çifteve, blerja më e madhe nuk është një send, por një udhëtim i shkurtër, një fundjavë jashtë, një arratisje e vogël që kthehet në kujtim dhe përmbajtje për rrjete sociale, pra edhe në “kapital” simbolik. Nga agjencia Ilirida bëhet me dije se përkimi i 14 shkurtit me fundjavën ka rritur ndjeshëm interesin për paketa dy ose tre ditore, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Sipas tyre, rezervimet kanë nisur më herët se zakonisht, me kërkesa që janë përqendruar kryesisht te destinacionet urbane në rajon dhe qytetet evropiane me fluturime direkte, ku çmimi i biletës dhe koha e shkurtër e qëndrimit e bëjnë udhëtimin të përballueshëm edhe për buxhete mesatare.
Brenda vendit destinacionet më të kërkuara kanë qenë Vlora, Gjirokastra dhe Korça, si edhe zonat me resorte dhe hotele me shërbime spa, ku çmimet për një fundjavë për çift variojnë zakonisht nga 150 deri në 300 euro, në varësi të standardit dhe shërbimeve të përfshira. Për udhëtimet jashtë vendit, interes ka pasur kryesisht për Romën, Milanon, Venecien dhe Stambollin, me kosto totale për dy persona që në shumicën e rasteve luhaten nga 400 deri në 700 euro, duke përfshirë fluturimin dhe akomodimin për dy net.
Kujdesi personal mendohet se zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet e femrave dhe çdo festë, sikurse edhe 14 shkurti, e dëshmon këtë. Kërkesat për t’i bërë partneres një dhuratë të tillë këtë vit kanë qenë të shumta. Përfaqësuesja e “My spa” në kryeqytet pohon se edhe këtë vit, kur krijuan paketat për Shën Valentin, menduan të ofrojnë një gamë të gjerë shërbimesh: spa, masazhe, trajtime estetike, me qëllim që të kenë interes të gjerë. Prej disa vitesh, edhe në qendra të tjera të sektorit të bukurisë dhe spa-së, paketat ofrohen në çift, ose edhe të personalizuara për meshkuj. Kërkesat për të tilla paketa janë në rritje prej vitesh, duke rrëzuar mitin e dhuratave të zakonshme për meshkujt. Paketat fillojnë nga 4000 lekë për person ose në ofertë 6000 lekë për çift.
