Kushte të paqëndrueshme, moti për sot
Gjatë ditës së sotme, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale afatshkurtra me diell, kryesish përgjatë ultësirës perëndimore në orët e para të ditës.
Reshjet e shiut parashikohen të jenë prezente në orët e mëngjesit, fillimisht përgjatë vijës bregdetare, dhe gradualisht do të shtrihen edhe në pjesën tjetër të vendit me intensitet të ulët.
Në orët e pasdites deri në mbrëmje vonë, reshjet e shiut pritet të jenë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të territorit, herë pas here me shtrëngata afatshkurtra. Ndërsa në zonën e jugperëndimit dhe ekstremin jugor, reshjet e shiut priten të fitojnë intensitet deri të lartë, herë pas here me shtrëngata shiu të shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Në zonën e Alpeve dhe relieveve malore në verilindje-lindje-juglindje, në lartësitë mbi 1000-1100 metër, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Era do të fryjë verilindje – juglindje me shpejtësi mesatare 10 m/s. Në zonat luginore dhe përgjatë relieveve malore, era arrin shpejtësi deri 24 m/s.
Deti: Valëzimi forcë 4-6 ballë.
