SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, mblidhet Këshilli i Mandateve

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, Këshilli i Mandateve mblidhet javën e ardhshme

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pritet të publikojë të hënën urdhrin për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në lidhje me çështjen e Belinda Ballukut. Për të, SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit, duke hapur kështu rrugën për arrestimin e saj.

Në urdhrin që do të publikohet do të përcaktohet data dhe ora e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Gjatë kësaj mbledhjeje, pritet të diskutohen çështjet në rendin e ditës që lidhen me kompetencat e këtij organi parlamentar.

Kjo mbledhje vjen disa ditë pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë dhe la në fuqi pezullimin nga detyra të Ballukut si zëvendës kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Masa e pezullimit ishte dhënë fillimisht nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Mbetet për t’u parë nëse Këshilli i Mandateve, drejtuar nga Ilir Meta, do ta shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Partia Demokratike ka kërkuar vazhdimisht, që prej dhjetorit, mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe shqyrtimin me urgjencë të kërkesës së SPAK. Arsyeja e kësaj kërkese është se Prokuroria ka argumentuar se e pandehura Balluku rrezikon të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët duke qëndruar në detyrë.

Socialistët, nga ana tjetër, kanë argumentuar se duhet pritur fillimisht vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit, dhe më pas të veprohet me imunitetin. Ky argumentim ka shkaktuar debate, pasi masa e pezullimit është konsideruar e “tejkaluar” dhe Prokuroria e Posaçme disponon prova të reja. Për këtë arsye, ka kërkuar heqjen e imunitetit, për t’i hapur rrugë dhënies së një mase më të rëndë sigurie, si arresti në shtëpi ose arresti në burg.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndërkohë që është vënë nën hetim edhe për procedura të tjera tenderuese, përfshirë të gjitha lotet e Unazës së Madhe.

Scroll to Top