Tatimet paralajmërojnë influencerët: Deklaroni të ardhurat online

Tatimet paralajmërojnë influencerët: Deklaroni të ardhurat e fituara online

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë individëve që kanë të ardhura nga platformat online t’i deklarojnë ato brenda datës 31 mars, duke përdorur platformën DIVA. Në të kundërt, do të përballen me gjoba.

Influencerët, të cilët merren me reklamime online, janë ndër kategoritë kryesore që duhet të deklarojnë të ardhurat e fituara nga aktiviteti në internet.

Përmes një njoftimi zyrtar, Tatimet sqarojnë se në Deklaratën e të Ardhurave Individuale për vitin 2025, duhet të raportohen të gjitha të hollat e fituara nga rrjetet sociale si Facebook, Instagram apo WhatsApp. Gjithashtu, duhet të deklarohen edhe fitimet nga platforma të tjera si YouTube, Airbnb, Booking, apo Google.

Në deklarim përfshihen jo vetëm të ardhurat e përfituara drejtpërdrejt në llogarinë bankare, por edhe pagesat e marra nëpërmjet formave elektronike ose fizike.

Administrata Tatimore thekson se posedon të dhëna mbi qarkullimin e të ardhurave nëpërmjet këtyre platformave dhe për këtë arsye, individët duhet t’i deklarojnë ato për të shmangur penalizime.

Gjatë vitit të kaluar, të ardhurat nga rrjetet sociale që duhet të deklaroheshin në DIVA 2024 arrinin në 33 milionë euro.

NJOFTIMI I PLOTË:

Administrata Tatimore sjell në vëmendje të individëve, subjekte deklarimi për DIVA 2025, se:

  • Duhen deklaruar në DIVA 2025 të gjitha të ardhurat e realizuara gjatë vitit, përmes llogarive bankare apo çdo forme tjetër pagese, përfshirë ato fizike ose elektronike, nëpërmjet platformave si Meta (Facebook; Instagram; WhatsApp), Google, YouTube, Airbnb, Booking etj.

Kujdes! Administrata Tatimore disponon të dhëna mbi të ardhurat e qarkulluara nëpërmjet këtyre platformave. Çdo mosdeklarim do t’ju vendosë përballë penaliteteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Scroll to Top