Helmimi i Navalny: Akuzat ndaj Rusisë, reagimi i Moskës

Helmimi i Navalny, paralajmërohet edhe Zelensky. Rusia reagon: Propagandë Perëndimore

Lideri i opozitës ruse, Alexey Navalny, i cili vdiq dy vjet më parë, u helmua gjatë kohës që vuante dënimin në burg. Helmi vinte nga një toksinë e gjetur te bretkosat helmuese të Amerikës së Jugut.

Dy vjet pasi Konferenca e Sigurisë në Mynih u trondit nga lajmi për vdekjen në burg të kritikut të Kremlinit, shërbimet sekrete të pesë vendeve perëndimore deklaruan se opozitari rus u helmua me epibatidinë, një neurotoksinë vdekjeprurëse. Sipas tyre, vetëm shteti rus kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për ta përdorur gjatë paraburgimit të tij në Siberi.

Ata kërkojnë që Rusia të mbajë përgjegjësi për vdekjen. Autoritetet ruse më parë e kishin atribuar vdekjen e tij si pasojë e një “kombinimi sëmundjesh”, një pretendim ky që u prit me skepticizëm.

Laboratorë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Suedia dhe Holanda kanë zbuluar gjurmë të toksinës në mostra indesh të nxjerra fshehurazi nga Rusia. Sipas ekspertëve, substanca shkakton paralizë të shpejtë dhe insuficiencë respiratore, ndërsa simptomat e raportuara përputhen me efektet e saj.

Pesë vendet pritet t’i paraqesin gjetjet pranë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, duke akuzuar Rusinë për shkelje të detyrimeve ndërkombëtare.

Moska e ka hedhur poshtë deklaratën. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cilësoi atë si një mashtrim të propagandës perëndimore. Ajo deklaroi se një reagim zyrtar do të vijë vetëm pasi të bëhen publike rezultatet dhe formulat e substancave të përmendura.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u shpreh në Mynih se nuk mendon se Vladimir Putin mund të ketë plane për ta helmuar atë. “Nuk mund të mendoj për Vladimir Putinin dhe planet e tij për të më helmuar, nëse ka ndonjë. Përpiqem të mos mendoj për këtë. Përndryshe do të mendoja vetëm për këtë gjë”, deklaroi Zelensky për gazetarët në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Scroll to Top